‘Koronavirusi do të nxisë transformimin e shitjeve tradicionale në shitje përmes internetit’

01 prill 2020 | 13:24

Transformimi digjital është duke u parë si opsioni më efektiv nga bizneset për të vazhduar operimin në mënyrë të rregullt, pavarësisht masave kufizuese të lëvizjes dhe distancimit shoqëror si pasojë e pandemisë.

Kështu është thënë gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ku është diskutuar mbi ndryshimin e mënyrës së shitjeve në kohën e COVID-19.

Uranik Begu, drejtor Ekzekutiv në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK, ka thënë se ndryshimet gjithmonë ndodhin në situata të caktuara nxitëse, rrjedhimisht kjo gjendje pandemie mund të jetë një ndër faktorët kryesorë që do të sjellë një orientim të ri ekonomik, duke transformuar sjelljen e konsumatorit si dhe proceset e punës.

Begu ka theksuar se ICK-ja vazhdimisht ka kontribuar në rritjen e vetëdijesimit për digjitalizimin dhe përdorimin e shërbimeve online, duke e parë se kjo qasje është një trend global në rritje.

Megjithatë, ai ka theksuar se në Kosovë ka ende shumë hapësirë për përmirësim në këtë aspekt, derisa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe atyre mbështetëse që të mobilizohen dhe të investojnë në aspektin teknik dhe atë të vetëdijesimit për zhvillimin e digjitalizimit si një stimulues gjatë kësaj krize.

Ndërsa Mërgim Cahani, themelues dhe kyeshef Ekzekutiv në “Gjirafa Inc.”, ka thënë se në Kosovë tregtia elektronike është ndër sektorët me rritjen më të madhe pas goditjes nga pandemia.

Sipas tij, kjo rritje do të vazhdojë edhe më tutje duke marrë parasysh se bizneset me qasje tradicionale ndaj shitjeve, tashmë kanë filluar të qasen në tregti elektronike, ndërsa edhe nga ana e konsumatorëve dita ditës mund të vërehet ndryshimi i shprehive të blerjes.

Ai ka thënë se “Gjirafa” u ofron ndërmarrjeve tregtare mundësinë e shpejtë për regjistrim dhe kalim të shitjeve përmes internetit.

Cahani ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë të zhvillimit të shitjeve online, dhe meqenëse shumë njerëz tashmë kanë filluar të përshtaten me këtë trend të ri, brenda disa viteve Kosova do të mund të krahasohet me tregjet e shteteve më të zhvilluara.

Në anën tjetër, Arianit Fazliu, bashkëthemelues dhe kryeshef Ekzekutiv në kompaninë “Kutia”, ka  vlerësuar se mënyrat tradicionale të shitjes janë limituar apo ndaluar si pasojë e pandemisë COVID-19 edhe rezistenca e dikurshme ndaj largimit të mënyrës tradicionale të punës dhe transformimit digjital ka filluar të shuhet.

Ai ka folur edhe për rritje të kërkesave për zhvillim të platformave për shitje online nga kompanitë e shumta evropiane, duke shprehur besimin se edhe kompanitë kosovare do të ndjekin trendë të njëjta.

Fazliu ka thënë se kompania e tij po mundohet që të kontribuojë në digjitalizimin e bizneseve ashtu që zinxhiri ekonomik të vazhdojë funksionimin, duke e marrë parasysh se kërkesat janë dukshëm të shtuara.

Sipas Fazliut, transformimi digjital është rruga drejt së ardhmes, duke inkurajuar kompanitë që të fillojnë këtë tranzicion i cili është duke u parë si një rrugëdalje për zhvillimin e biznesit në këtë kohë pandemie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Botërore e Shëndetësisë do të shpenzojë 900,000 dollarë për…