Korrigjimi i kufirit me Malin e Zi nuk varet vetëm nga puna e komisionit

27 shkurt 2019 | 14:31

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, Riza Smaka, ka deklaruar se ky komision është i gatshëm për ta filluar punën për korrigjimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ai ka deklaruar se tani është në dorë të Qeverisë që ta nisë këtë proces. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Smaka ka deklaruar se nuk ka ndonjë informatë se kur mund të nisë ky proces. “Qeveria ka marrë përsipër për të formuar ekip të përbashkët punues me palën malazeze për shënjimin e vijës kufitare Kosovë – Mal i Zi. Ndërsa ne nga aspekti profesional dhe teknik jemi të përgatitur çdoherë që ta bëjmë punën tonë. Në këtë drejtim edhe kryesuesi i komisionit, profesor Bulliqi, ka deklaruar se komisioni është i gatshëm,  kurse qeveria tani e ka topin në dorë”, ka thënë Smaka.

Ai ka shprehur optimizëm se do të mund të korrigjohet kjo marrëveshje, duke shtuar se komisioni ka argumente të mjaftueshme për këtë. Megjithatë, Smaka ka treguar se tani nuk varet çdo gjë prej punës së komisionit. “Po të ishte kjo çështje nën autorizimin tonë si komision, ne jemi aq të fuqishëm me argumente sa do të kishim shumë lehtë ta rirregullonim këtë çështje. Tani e kemi hendikepin që Kuvendi e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe tani varet shumë prej pikëpamjeve politike të të dyja qeverive. Po e përsëris edhe një herë, se këto janë qëndrime të mia personale, sepse në emër të komisionit flet kryesues,i profesor Bulliqi”, ka thënë Smaka.

Në këtë intervistë, Smaka ka folur edhe për demarkimin e kufirit të Kosovës me Serbinë. Sipas tij, komisioni i ka të gjitha dokumentet e nevojshme për ta mbrojtur vijën administrative në mes të dy vendeve si kufi shtetëror. Ai ka deklaruar se nuk ka asgjë kontestuese në këtë vijë kufitare. “E jona është që ta përfillim linjën administrative. Kurse çka vendosin politika e institucionet si Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, ato janë çështje politike. Por, sa i përket anës profesionale dhe teknike, ne jemi optimistë se çështja do të përfundonte në rregull dhe reciprokisht e pranueshme”, është shprehur Smaka.

“Epoka e re”: Z. Smaka, muajin tjetër bëhet një vit që kur Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi. A ka ndërmarrë diçka komisioni  për korrigjimin e kësaj marrëveshjes?
Smaka: Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit prej momenti të thellimit e ka përcaktuar planin e punës dhe punon rregullisht me dokumente, shkresa dhe akte që i referohen kufirit të Kosovës në përgjithësi. Komisioni është i përgatitur edhe për demarkimin e kufirit me Serbinë, ndërsa sa i përket marrëveshjes me Malin e Zi, tani çështja është në duar të qeverisë, e cila ka marrë përsipër për të formuar ekip të përbashkët punues me palën malazeze për shënjimin e vijës kufitare Kosovë – Mal i Zi. Ndërsa ne nga aspekti profesional dhe teknik jemi të përgatitur çdoherë që ta bëjmë punën tonë. Në këtë drejtim edhe kryesuesi i komisionit, profesor Bulliqi, ka deklaruar se komisioni është i gatshëm,  kurse Qeveria tani e ka topin në dorë.

“Epoka e re”: Pra, fillimi i punës së komisionit për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi varet nga vendimet politike të Qeverisë?
Smaka: Natyrisht. Ne punën tonë me kompetencë do ta kryejmë ashtu siç kemi vepruar deri më tani, ku e kemi hartuar raportin prej 700 faqesh me argumente të fuqishme, në të cilin tregohet se ish-komisioni ka gabuar rëndë. Këtë raport, siç e dini, e kemi dorëzuar në qeveri, pastaj qeveria ia ka dorëzuar Kuvendit. Mirëpo, fatkeqësisht, 80 deputetë të Kuvendit nuk e patën lexuar fare këtë raport, por e patën injoruar dhe patën votuar pro marrëveshjes. Gjendja tani është kjo. Qeverisë i mbetet ana politike që të bashkëpunojë me Qeverinë e Malit të Zi për të filluar ky proces.

“Epoka e re”: Si komision, a keni ndonjë informatë se kur pritet të formohet ky grup i përbashkët punues për shënjimin e kufirit?
Smaka: Nuk kam ndonjë informatë se kur do të fillojë ky proces.

 “Epoka e re”: Sa optimist jeni se do të mund të ndodhë korrigjimi i kësaj marrëveshje në mënyrë që kufiri mes dy shteteve të jetë në Çakorr dhe Kullë?
Smaka: Po të ishte kjo çështje nën autorizimin tonë si komision, ne jemi aq të fuqishëm me argumente sa do të kishim shumë lehtë ta rirregullonim këtë çështje. Tani e kemi hendikepin që Kuvendi e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe kjo varet shumë prej pikëpamjeve politike të të dyja qeverive. Po e përsëris edhe një herë, se këto janë qëndrime të mia personale, kurse në emër të komisionit flet kryesuesi, profesor Bulliqi.

“Epoka e re”: Në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi pritet që të ndodhë edhe demarkacioni i kufirit në mes të këtyre dy shteteve. Sa është i gatshëm ky komision të përballet me këtë proces?
Smaka: Mes Kosovës dhe Serbisë ekziston kufiri administrativ sikurse ka ekzistuar edhe me Malin e Zi.  Nuk është e kontestueshme asgjë. Duhet ta dinë të gjithë se funksioni themelor i komisionit tonë është demarkimi i kufirit, domethënë shënjimi i kufirit sipas linjës administrative në mes të dy vendeve. Ky shënim nënkupton njëfarë korrigjimi reciprok. Ta zëmë, nëse do t’i merrnin pesë hektarë nga ajo anë, ne do të duhej t’i jepnim pesë hektarë nga kjo ana tjetër. E jona është që ta përfillim linjën administrative. Kurse çka vendosin politika dhe institucionet si  Presidenca, Qeveria e Kuvendi, ato janë çështje politike. Por, sa i përket anës profesionale dhe teknike, ne jemi optimistë se çështja do të përfundonte në rregull dhe reciprokisht e pranueshme.

“Epoka e re”: Pra, besoni se komisioni ka argumente të mjaftueshme për ta mbrojtur kufirin aktual administrativ në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Smaka: Natyrisht se po. Ne i kemi marrë të gjitha dokumentet e mundshme që i referohen kufirit prej vitit 1945 deri në ditët e sotme.

“Epoka e re”: Sa sfiduese do të jetë kjo punë për komisionin meqenëse tani kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës?
Smaka: Ato janë çështje politike. Dihet që politikat shtetërore serbe janë hegjemoniste. Parakusht për demarkacionin në mes të dyja vendeve është pranimi reciprok i dy shteteve, sepse pa ndodhur kjo nuk mund të vijë as shënjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani për tani Serbia nuk e pranon Kosovën dhe pa u zgjidhur kjo çështje unë nuk shoh mundësi për ta filluar punën tonë si komision.

 

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës kishte njoftuar se pas presionit…