Korrigjimi i kufirit shuan ëndrrën serbe për ndarje të Kosovës

16 gusht 2018 | 12:48

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen se korrigjimi i kufirit me Serbinë shmang njëherë e përgjithmonë planin serb për ndarjen apo bosnjëzimin e Kosovës.

Ai ka kërkuar mbështetjen e partive politike që nëpërmjet korrigjimit të kufirit të ndodhë bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për këtë çështje, ato do të përkrahen edhe nga ShBA-ja dhe BE-ja.

“Ideja për korrigjimin e kufirit përfundimisht shuan ëndrrën serbe për ndarje apo bosnjëzim të Kosovës. Prandaj është në interesin tonë që sa më herët kjo të ndodhë. Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një procesi të dialogut dhe rrugës paqësore do të jetë e mirëpritur dhe e mbështetur fuqishëm dhe në mënyrë unike edhe nga ShBA-ja dhe BE-ja”, ka thënë Thaçi.

Ai ka bërë me dije se do ta vazhdojë fazën finale të dialogut edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e këtij procesi. Sipas presidentit Thaçi, nëse has në kundërshtim të subjekteve politike për këtë proces, marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën do ta hedhë në referendum.

I pari i vendit ka qartësuar se askush nuk do të mund ta bllokojë këtë proces, i cili, sipas tij, garanton të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës.

“Në fund të procesit vetë populli i Kosovës do të deklarohet nëse është për marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe nëse Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës, me një përgjigje shumë të thjeshtë, po ose jo. Deri më tani, prej të dhënave që kemi ne, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, kurse rreth 99 për qind e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës e mbështesin këtë ide”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se ata që e kundërshtojnë këtë ide janë kamikazë të fuqishëm politikë.

Thaçi ka shprehur bindjen se do ta marrë përkrahjen e nevojshme të qytetarëve në referendum për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. “Çdo marrëveshje që nënkupton njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, do ta marrë bekimin e qytetarëve të Kosovës. Jam i bindur në këtë. Nuk do të lejoj asnjë individ që me mandatin e fituar si deputet të pretendojë ta pengojë implementimin e të ardhmes euroatlantike”, është shprehur Thaçi.

“Epoka e re”: Z. president, kancelarja gjermane Angela Merkel ka mohuar çdo mundësi të ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj deklarate?
Thaçi: Deklarata e kancerales Merkel është një qëndrim i munguar për kohë të gjatë për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë jemi kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve. Gjithashtu, duhet të punojmë fuqishëm që në asnjë rrethanë të mos krijohet ndonjë situatë e krijimit të ndonjë autonomie serbe apo të ndonjë modeli të Srpska Republikës. Ideja ime për korrigjimin e kufirit është ide për demarkimin e rreth 400 kilometrave kufij në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjë do të ndodhë herët apo vonë. Derisa nuk ndodh demarkimi i kufirit Kosovë – Serbi, as Kosova nuk do të mund të lëvizë drejt NATO-s dhe BE-së, por as Serbia nuk do të mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane. Tani kur BE-ja po modernizohet dhe reformohet, është kërkesë e qartë e lidershipit evropian se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor me probleme të së kaluarës nuk do të mund të jetë pjesë e familjes evropiane pa i tejkaluar ato probleme. Mundësia e arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi, që nënkupton edhe përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, është minimale, por tani është kërkesë e institucionalizuar nga liderët e Luginës së Preshevës të cilën do ta prezantoj në tryezë në Bruksel. E di që do të jetë një reagim jo i lehtë nga ana e autoriteteve të Serbisë, mirëpo këtë e ndiej si obligim moral, historik, kombëtar, politik dhe shtetëror. Çdo marrëveshje mes palëve, që nënkupton njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, bota do ta përkrahë.

“Epoka e re”: Nga shumëkush kjo deklaratë e Merkelit është interpretuar si kundërpërgjigje ndaj jush, që po e proklamoni idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë?
Thaçi: Korrigjimi dhe demarkimi i kufirit është diçka tjetër. Ideja për korrigjimin e kufirit përfundimisht shuan ëndrrën serbe për ndarje apo bosnjëzim të Kosovës. Prandaj është në interes tonin që sa më herët kjo të ndodhë. Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet procesit të dialogut dhe rrugës paqësore do të jetë e mirëpritur dhe e mbështetur fuqishëm edhe nga ShBA-ja dhe BE-ja.

“Epoka e re”: Domethënë, edhe pas deklaratës së Merkelit, ju nuk tërhiqeni nga ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë, nëpërmjet së cilës do të ndodhte bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën?
Thaçi: Unë pajtohem qind për qind me kancelaren Merkel. Ajo e ka thënë gjënë e duhur në kohën e duhur. E theksova më herët se kjo është diçka që i ka munguar diplomacisë ndërkombëtare kohët e fundit. Edhe në takimin që kam zhvilluar me kancelaren Merkel, ajo ka bërë me dije se është në favor të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes paqësore Kosovë – Serbi, që nënkupton edhe demarkmimin e kufirit në mes të dy vendeve, rreth 400 kilometra.

“Epoka e re”: Z. president, pse dhatë këtë ide në këtë kohë?
Thaçi: Sepse tani është institucionalizuar kërkesa e liderëve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës. Një deklarim ky i shprehur edhe në vitin 1992 përmes referendumit të qytetarëve atje.

“Epoka e re”: Meqenëse edhe vetë po e pranoni se ka pak gjasa që Serbia ta pranojë kërkesën tuaj, pse po e proklamoni kaq shumë këtë ide?
Thaçi: Mendoj se kjo është një e drejtë historike dhe legjitime e cila duhet të promovohet. Do të jetë e vështirë të shtyhet përpara, por ia vlen të përpiqemi.

“Epoka e re”: Opozita, edhe individë të tjerë, po ju kritikojnë se me këtë ide po krijoni jostabilitet në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare?
Thaçi: Bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë marrëveshjen e arritur Kosovë – Serbi, në një proces të dialogut të mirëfilltë, të hapur, llogaridhënës, transparent dhe paqësor. Marrëveshja paqësore Kosovë – Serbi nuk do të mund dhe nuk do të jetë e refuzuar nga askush.

“Epoka e re”: Nuk është hera e parë që opozita ju akuzon për tentim të prishjes së raporteve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Fillimisht këto kritika ishin drejtuar kur tentuat ta bëni transformimin e FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjit, pastaj këto kritika erdhën edhe në shprehje edhe kur u aktualizua iniciativa për bllokimin e Gjykatës Speciale?
Thaçi: Sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura, e gjithë bota na ka përkrahur në angazhimin tonë në vitin 2014 për ta themeluar ushtrinë. Mirëpo kanë qenë 4-5 deputetë që e kanë penguar këtë proces për shkak të ambicieve të tyre politike, egove personale dhe politikave elektorale populiste. Për shkak të këtyre ambicieve sot Kosova po e paguan çmimin që nuk e ka mundësinë për ta formuar ushtrinë e Kosovës. Pa ushtri nuk do të mund të jemi as në partneritet të paqes dhe as në NATO. Pra, për shkak të naivitetit dhe injorancës të disa individëve, Kosova po e paguan këtë çmim sot. Sa iu përket proceseve të tjera, mendoj se ka keqkuptime, keqinterpretime dhe ka frustrime të ndryshme prej individëve të ndryshëm. Kjo është jeta politike dhe plurale. Ne jetojmë në demokraci, ku secili mund të shprehet lirshëm. Për mua të gjithë janë të respektuar, por Kosova nuk mund të humbë kohë me politika inatçore apo me politika të interesit ditor. Dialogu Kosovë – Serbi, nëse prodhon ndonjë bazë për marrëveshje apo ndonjë marrëveshje definitive, ne do të punojmë që të kemi një përfshirje sa më të gjerë politike, sepse të gjithë kanë përgjegjësi në këtë proces. Beteja me Serbinë zhvillohet në tavolinat e bisedimeve përballë Serbisë, e jo duke u ankuar se nëse zgjidhet problemi i Kosovës, çfarë do t’i ndodhë Ukrainës apo çfarë do të ndodhë me problemet e tjera globale. Ne jemi shumë të vegjël që të merremi me probleme globale siç pretendojnë disa individë që nuk kanë fituar legjitimet as në fshatin e vet e lëre më të merren me Krime apo Abkhazi. Ritheksoj se korrigjimi i kufijve dhe përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, përfundimisht e shuan ëndrrën e kamotshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës apo krijimin e Republika Srpskas në Kosovë. Është me interes të ritheksoj se i gjithë procesi duhet të përcillet me transparencë të plotë dhe llogaridhënie dhe në fund të fundit qytetarët përmes referendumit do ta thonë fjalën e vet dhe vullnetin e tyre.

“Epoka e re”: Kur do të ndodhë takimi i ardhshëm me presidentin serb Vuçiq?
Thaçi: Shpresoj në pjesën e parë të shtatorit.

“Epoka e re”: Dhe çfarë pritet të diskutoni në këtë takim?
Thaçi: Ende nuk është specifikuar se çka. Dy takimet e para më tepër kanë qenë procedurale dhe teknike. Besoj se takimi i radhës do të jetë i menduar për të filluar me një bazë të diskutimit për të ardhmen.

“Epoka e re”: Kosova po hyn në këtë fazë të ndjeshme të këtij procesi dhe ende nuk është arritur konsensusi i kërkuar politik dhe nuk është hartuar ndonjë platformë për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Thaçi: Platformë për ne është e drejta jonë historike dhe prioritetet që i kemi para nesh. Më vjen keq që disa që shprehin kritika për këtë proces nuk kanë ide se çka duhet bërë për të ardhmen, por vetëm janë pozicionuar në istikamet refuzuese pa prezantuar ndonjë ide konkrete se si të lëvizet drejt një të ardhme euroatlantike të Kosovës. Me rëndësi është që të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës kanë qenë të pranishëm në takimin e fundit në Bruksel. Shpresoj se edhe në takimin e radhës do të jenë. Ne do të punojmë të kemi një përfshirje sa më të gjerë të mundshme, mirëpo askujt nuk do t’ia imponojmë participimin në këtë proces. Pasi që procesi do të kalojë nëpërmjet referendumit, mendoj se secili ka mundësi ta thotë fjalën e vet dhe nuk do të mund ta pengojë askush i vetëm këtë proces, kushdo që të jetë ai. Në fund të procesit, vetë populli i Kosovës do të deklarohet nëse është për marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe nëse është që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës me një përgjigje shumë të thjeshtë, po ose jo. Deri më tani, prej të dhënave që kemi ne, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, kurse rreth 99 për qind e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës e mbështesin këtë ide. Prandaj ata që kanë guximin të dalin kundër një propozimi të tillë mendoj se janë kamikazë të fuqishëm politikë.

“Epoka e re”: Vazhdimisht po e përmendni mundësinë e organizmit të referendumit për këtë çështje, por Kosova ende nuk ka ligj për referendum. Madje, sipas disa interpretimeve, Kushtetuta jonë e ndalon organizimin e referendumeve për disa çështje. Si do t’ia bëni?
Thaçi: Duhet të punojmë në aspektin procedural dhe ligjor. Duhet të punojmë edhe me Gjykatën Kushtetuese që ta marrim opinionin e saj dhe t’i fillojmë procedurat në mënyrë që bashkërisht të gjithë të ecim në këtë drejtim. Nuk mendoj se dikush do të dalë kundër kësaj ideje për referendum. Mendoj se për çështjet me rëndësi jetike, qytetarët e Kosovës duhet të vendosim vetë. Referendumi është mekanizmi më i lartë i demokracisë dhe qytetarët e vendit duhet mendojnë se duhet t’u jepet mundësia ta shprehin vullnetin e tyre për të ardhmen.

“Epoka e re”: Sa herë është përmendur mundësia e organizimit të referendumit, çdoherë është tërhequr edhe vërejtja se kjo e drejtë mund të keqpërdoret nga ndonjë komunitet. I frikësoheni kësaj?
Thaçi: Nuk punoj me paragjykime. Unë punoj mbi bazën e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe standardeve demokratike evropiane dhe botërore. Në këtë mënyrë referendumi është një mekanizëm që duhet të garantohet edhe në Kosovë.

“Epoka e re”: Si president i vendit do t’i ftoni në mënyrë zyrtare subjektet politike për të diskutuar rreth platformës për bisedime me Serbinë?
Thaçi: Ftesa gjithmonë është e hapur. Bashkëngjitja e opozitës në këtë proces është e mirëseardhur. Me rëndësi është të vazhdojë dialogu, të gjendet zgjidhja, të arrihet marrëveshja dhe Kosova të lëvizë drejt NATO-s dhe BE-së. Nuk do të humb kohë në asnjë rrethanë dhe për asnjë ditë për idetë lokale, projektet lokale apo hartat lokale. Ne duhet të shikojmë në hartën e madhe evropiane për arritjen e standardeve evropiane për Kosovën dhe Ballkanin. Pra, për një rajon pa kufi, i cili do të jetë i integruar në BE.

“Epoka e re”: Çfarë nëse nuk do ta keni mbështetjen e opozitës në këtë proces?
Thaçi: Opozita dhe të gjitha partitë politike janë në favor të dialogut, janë për negociata, ndërsa ballafaqimi i argumenteve duhet të ndodhë në tavolinë. Shumë lehtë është të jemi kritikë dhe shumë vështirë është të ballafaqohesh me kundërshtarët e Kosovës. Nuk është e lehtë as për mua të ballafaqohem me Vuçiqin. Lehtë është të qëndrosh si spektator, por vështirë është të luash. Kështu që edhe subjektet politike duhet të futen në lojë dhe t’i marrin përgjegjësit gjatë betejës. Nëse nuk duan, në fund të këtij procesi, nëse arrijmë ndonjë marrëveshje, atëherë duhet që qytetarët nëpërmjet referendumit të deklarohen për ose kundër kësaj marrëveshje.

“Epoka e re”: Keni paralajmëruar se ky proces mund të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
Thaçi: Nuk shpresoj se do të arrihet shpejt, por mendoj se një bazë e mirë për një marrëveshje mund të krijohet në pranverë të vitit të ardhshëm.

“Epoka e re”: Meqenëse vetë e keni pranuar se ky do të jetë një proces shumë i vështirë dhe me të panjohura, si do t’i hyni këtij procesi pa mbështetjen e opozitës?
Thaçi: Presidenti ka mandatin e vet kushtetues dhe ligjor. Kuvendi askund në botë nuk udhëheq dialog apo negociata me një vend. Kuvendi ratifikon ose jo një marrëveshje ndërkombëtare. Nëse duan, marrëveshjen e mundshme do ta kalojmë nëpërmjet Kuvendit, por nëse ka veprime kryeneçe atëherë ne përfundimisht duhet të vëmë në funksion mekanizmin e referendumit, gjë që do ta bëjmë. Por, nuk do të lejoj që të vë veto askush mbi këtë proces.

“Epoka e re”: Por përsëri ajo marrëveshje duhet të sillet në Kuvend për ratifikim?
Thaçi: Le ta bekojë populli atë marrëveshje, pastaj gjërat e tjera vijnë në vendin e vet. Qytetarët duhet të deklarohen për këtë çështje. Nëse e pranon populli, në rregull; nëse nuk e pranon, ne këtu jemi.

“Epoka e re”: Idenë e referendumit nuk e keni përmendur më herët. Do të thotë kjo se jeni i ndikuar nga rasti i marrëveshjes historike në mes të Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, e cila në shtator do të hedhet në referendum?
Thaçi: Marrëveshja në mes të Greqisë dhe Maqedonisë mendoj se është marrëveshje shumë e mirë. Kjo marrëveshje duhet të shërbejë për të na i hapur sytë edhe neve që të lëvizim sa më shpejt për ta përmbyllur këtë proces, në mënyrë që të na hapet rruga për integrim në NATO dhe BE. E ritheksoj edhe një herë se nuk ka ecje përpara as për Kosovën e as për Serbinë pa marrëveshje reciproke. Çdo marrëveshje që nënkupton njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, do ta marrë bekimin e qytetarëve të Kosovës. Jam i bindur në këtë. Nuk do të lejoj asnjë individ që me mandatin e fituar si deputet të pretendojë ta pengojë implementimin e të ardhmes euroatlantike.

“Epoka e re”: Njohës të ndryshëm të rrethanave politike pretendojnë se mbrapa idesë suaj për korrigjim të kufirit fshihen kompetencat ekzekutive të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Thaçi: Pikërisht korrigjimi i kufirit Kosovë – Serbi dhe integrimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën eliminon përfundimisht pretendimet e tilla për pushtet ekzekutiv në Kosovë, duke nënkuptuar këtu edhe marrëveshjen e ish- kryeministrit Isa Mustafa me Vuçiqin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me pretendimin për pushtet të tretë ekzekutiv apo ndonjë pretendim për Republika Srpska në Kosovë. Diçka e tillë nuk do të lejoj të ndodhë.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se…