Kosova dhe Izraeli nënshkruajnë deklaratën e përbashkët për bashkëpunim në fushën e turizmit

11 shtator 2023 | 13:59

Ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz, u mirëprit në ambientet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga ministrja Rozeta Hajdari.

Dy ministrat homolog gjatë këtij takimi nënshkruan deklaratën e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, e cila ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

Ministrja Hajdari, tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve.

Deklarata e përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.

Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë.

Po ashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit.

Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë në fushën e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit.

Pas vizitës që ministrja Rozeta Hajdari, muaj më parë kishte realizuar në Izrael, ministri Katz po realizon një vizitë në vendin tonë ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët më të lartë shtetëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imer Topanica Gjuha poetike nuk synon vetëm ekonomizimin e mater­ies…