Kosova dhe Maqedonia pritet ta thellojnë bashkëpunimin në bujqësi

01 dhjetor 2022 | 13:02

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka pritur në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski, me të cilin ka diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektorëve të cilat mbulojnë institucionet gjegjëse të cilat drejtohen nga dy ministrat.

“U dakorduam që ta thellojmë bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërshtetëror duke hartuar projekte të përbashkëta ndërkufitare me qëllim të fuqizimit ekonomik të bujqve që jetojnë rreth zonës kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut. Njëherësh ramë dakord për shkëmbim eksperiencash në hartimin e politikave, përafrimin e tyre me ato të BE-së, heqjen e barrierave jo-tarifore, rritjen e kontrollit kufitar me qëllim ruajtjen e sigurisë ushqimore, hartimin e përbashkët të politikave pyjore, si dhe krijimin e një grupi teknik-administrativ i cili do t’i bartë më tutje frerët e hartimit dhe implementimit të marrëveshjeve që do vijojnë mes institucioneve tona”, u shpreh ministri Faton Peci pas takimit.

Ai ka falënderuar ministrin Nikolovski për vizitën, konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët.

Të dy ministrat u zotuan të kultivojnë marrëdhëniet miqësore që popujt e tyre kanë mes vete, si dhe të hapin rrugë drejt forcimit të pozitës së bujqve të të dyja vendeve përmes shkëmbimit të praktikave më të mira që do t’ua lehtësojnë veprimtarinë e tyre bujqësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompani “ABI” me seli në Prizren e cila ka qindra…