
Kosova do të vazhdojë ta dëshmojë përcaktimin e saj për vlera evropiane
Sot janë bërë 14 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për këtë ditë ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se duke miratuar Kushtetutën përfaqësuesit e zgjedhur të popullit siguruan themelet mbi të cilat sot qëndron shteti ynë demokratik dhe sovran.
“Me miratimin e aktit themeltar njëherësh u kurorëzua sakrifica, aspirata dhe vullneti shekullor i popullit të Kosovës për liri, demokraci, pavarësi dhe prosperitet”.
“Republika e Kosovës, në partneritet të ngushtë e të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të vazhdojë ta dëshmojë përcaktimin e saj për demokraci të vërtetë, shoqëri të lirë e të hapur, paqe e prosperitet dhe promovim të vlerave evropiane”, ka shkruar Konjufca.