Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për diplomacinë

02 korrik 2019 | 18:26

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe homologu i tij nga Kosova, Behgjet Pacolli, kanë nënshkruar një marrëveshje të re të bashkëpunimit në mes të dy ministrive.

Cakaj nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo marrëveshje shënon një kaptinë të re në bashkëpunimin politik, diplomatik dhe strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Postimi i plotë i Cakajt:

Sot kisha kënaqësinë të prisja në vizitë zyrtare në Tiranë, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Behgjet Pacolli!

Kjo vizitë u kurorëzua me një marrëveshje të re bashkëpunimi midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Kjo marrëveshje shënon një kaptinë të re në bashkëpunimin politik, diplomatik dhe strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi!

Kjo marrëveshje është e bazuar në katër shtylla kryesore:

E para, nga pikëpamja politike, marrëveshja përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik” me qëllim përcaktimin e prioriteteve afatgjata strategjike, bashkërendimin e qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare dhe marrjen e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Tani e tutje, Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive. Për më shumë, Shqipëria do të ndërmarrë një fushatë të veçantë në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

E dyta, nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion menjëherë fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Kjo nismë është e domosdoshme për racionalizim të shpenzimeve logjistike dhe administrative dhe rritjen e pranisë diplomatike dhe konsullore të dy vendeve tona nëpër botë.

E treta, nga pikëpamja profesionale, marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës anekënd globit. Lidhur me këtë element, shumë shpejtë diplomatët e parë shqiptarë nga Kosova do t’i bashkëngjiten diplomacisë së Shqipërisë për të shërbyer në përfaqësitë e saj nëpër botë dhe anasjelltas!
Për më shumë, akademitë diplomatike menjëherë do të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët. Kjo masë, gjithsesi, do të shoqërohet edhe me shkëmbimin e stafit profesional dhe përvojave profesionale nëpër Ministritë tona.

E katërta, nga pikëpamja e diplomacisë kulturore, marrëveshja obligon palët për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në botë. Po ashtu, palët nënshkruese të kësaj marrëveshje do të organizojnë edhe një konferencë të përbashkët në baza vjetore, me përfshirje të strukturave të diasporës e shoqërisë civile, për të diskutuar mënyrat e avancimit të politikës së jashtme në shërbim të interesave kombëtare.

Kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se procesi i thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë tutje me rezultate konkrete. Përkundrazi. Shihemi shpejtë me masa të reja…!

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të kesh një ishull të gjithin për vete duket si…