Kosova ka nevojë për qeveri, jo për zgjedhje të reja
Shkruan: Astrit Gashi
Kosova është më e madhe se çdo parti, se çdo kryetar dhe se çdo kalkulim elektoral.
Shteti ynë nuk mund të presë derisa egoja politike të zëvendësojë arsyen.
Kjo është e vërteta që klasa politike duhet ta pranojë sot, jo nesër. Sepse Kosova nuk ka më kohë për eksperimente, as për kriza të zgjatura. Pas gati një viti pa qeveri funksionale, shteti është kthyer në peng të interesave partiake, ndërsa qytetarët janë lodhur nga pritja dhe zhgënjimi.
Sot, Kosova ka nevojë për një qeveri të re, të gjerë dhe stabile, që ngrihet mbi ndarjet partiake dhe i rikthen besimin qytetarit. Çdo vonesë në këtë drejtim është dëm për shtetin, për ekonominë dhe për kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
Ngjarja e fundit në shesh, përfshirë përplasjen e turpshme mes një deputeti dhe një qytetari, nuk është thjesht incident, por simptomë e një shoqërie që po humb besimin te politika e një krize që po shndërrohet në normalitet.
Kur deputeti shan qytetarin, kur Kuvendi nuk vendos dhe qeveria mungon, demokracia nuk funksionon ajo vdes.
Zgjedhjet lokale kanë treguar qartë se asnjë forcë politike nuk ka legjitimitetin e plotë për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje mbetet forca kryesore, por jo e mjaftueshme për të qeverisur pa kompromis.
PDK dhe LDK janë në pikën më të ulët të besimit qytetar ndaj lidershipit të tyre, ndërsa AAK dhe Nisma luftojnë për ekzistencë politike.
Në këtë panoramë të ngurtë, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje por ato do të na çonin drejt kaosit dhe apatisë qytetare.
Ajo që i duhet Kosovës sot është pjekuria politike, bashkëpunimi institucional dhe ndërtimi i një qeverie për qytetarin, jo për partinë.
Kjo është koha për përgjegjësi, jo për kalkulim për dialog, jo për garë; për shtet, jo për pushtet.
Por përtej dimensionit të brendshëm, duhet bërë një pyetje e qartë dhe e ndershme:
Kujt i intereson që Kosova të mos ketë institucione stabile pikërisht tani, në momentin më të ndjeshëm të saj?
Pse pikërisht tani, kur pritet vendimi i Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së, vendi mbahet në krizë?
Kjo mungesë stabiliteti nuk është rastësi.
Ajo i shkon për shtat atyre që duan një Kosovë të dobët, të përçarë dhe pa zë në arenën ndërkombëtare.
Sepse një Kosovë pa qeveri dhe kuvend funksional nuk mund të mbrojë dinjitetin e luftës, as të kërkojë drejtësi për njerëzit që po mbahen padrejtësisht në paraburgim prej më shumë se pesë vitesh.
Ata burra që dikur mbrojtën lirinë e këtij vendi po mbahen sot si pengje politike në Hagë, ndërsa institucionet që duhej të flisnin heshtin.
Dhe këtu, të gjithë janë fajtorë, pozitë e opozitë.
Prandaj, apeli im është ndalni garën dhe filloni qeverisjen.
Sepse Kosova nuk ka nevojë për një raund tjetër votash, por për një zgjidhje që e bashkon.
Ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme që t’i japë kuptim shpresës që ende jeton në këtë vend.
Ndryshe, ju nuk jeni të zgjedhurit e popullit por armiqtë e tij.



