Kosova kundër minishengenit

12 nëntor 2019 | 10:51

Nisma e Shengenit Ballkanik është pritur me shumë shqetësim në Kosovë. Madje kjo nismë rajonale është kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës dhe njohësit e marrëdhënieve  ndërkombëtare dhe të integrimeve evropiane, duke u cilësuar si e dëmshme për Republikën e Kosovës. Sipas tyre, kjo iniciativë është e prirë të dështojë sikurse iniciativat e mëparshme.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pas kësaj iniciative fshihet Unioni Ballkanik. Sipas tij, kjo është Jugosfer 2.0. “Jugosfera 2.0. ra perdja edhe e trelaterales së Ohrit. Aty pranë Shën Naumit, të cilin Zogu ia dhuroi Pashiqit, krijuesit të Partisë Radikale Serbe, kryetar i së cilës sot është Vuçiqi. Ky, i vetëdijshëm që sot nuk ka as Zog që pranon union nën kurorën e karagjorgjeviqëve e as hoxhë, për Shqipërinë, si Republikë të Shtatë të Titos, propozon tash Union Ballkanik. Por, nën hegjemoninë  e Beogradit. Për hair Jugosfera 2.0!”, ka shkruar Reka.

Edhe profesori tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lisen Bashkurti, e ka kundërshtuar këtë iniciativë. Sipas tij, kjo nismë është ideuar dhe lansuar pa konsideruar aspak realitetin politik të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Shigjetimet e Kosovës, politikës, medies dhe opinionit publik të saj drejtohen kryesisht kundër qeverisë Rama. Anashkalimi i Kosovës, moskonsultimi paraprak me të, bërja e qëndrimeve zyrtare ‘fact accompli’ janë të papranueshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në kohën tonë. Kur ky anashkalim, ose më drejtpërdrejt ky injorim i shtetit të Kosovës vjen nga qeveria Rama, kjo përbën një shkelje të rëndë të marrëdhënieve strategjike Shqipëri – Kosovë, një dëmtim serioz të raporteve speciale Tiranë – Prishtinë, një cenim të balancave shumë delikate ballkanike në proceset e nisura për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, një përpjekje për t’u imponuar brutalisht mbi politikat shtetërore të aplikuara nga Kosova ndaj Serbisë për reciprocitet”, ka vlerësuar Bashkurti.

Sipas tij, deklarata e kryeministrit Rama në Ohër, se Kosova është vetëpërjashtuar nga kjo iniciativë, është e pavërtetë, e paarsyeshme dhe e padobishme për Kosovën për marrëdhëniet speciale Shqipëri -Kosovë.

“Kosova nuk u vetizolua, por u vetëmbrojt. Dhe bëri shumë mirë. Shumë drejt. Shumë saktë. Bëri të vetmen gjë që duhej dhe mund të bënte. Kosova ka një problem madhor. Ky është njohja e pavarësisë, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj nga Serbia. Kosova nuk mund dhe nuk duhet të marrë pjesë në asnjë iniciativë integruese politike rajonale ku bën pjesë Serbia, pa normalizuar më parë marrëdhëniet me të, pa u njohur si shtet i pavarur, sovran dhe me integritet territorial të pacenueshëm nga Serbia”, është shprehur ai, duke shtuar se çdo pjesëmarrje e Kosovës në procese integruese Ballkanike ku bën pjesë edhe Serbia, siç është edhe nisma e Shengenit Ballkanik, e kthen Kosovën në statusin e përpara 1999-s.

Ndërsa njohësi i integrimeve  evropiane, Vigan Qorrolli, ka bërë me dije se kjo iniciativë është e destinuar që të dështojë. “Ballkani prej se ekziston ka funksionuar me mosbesim të thellë mes popujve dhe shteteve të tij, që prej dy luftërave ballkanike, deri në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Shiheni Bosnjën si funksionon sot: shteti me rregullimin më të çoroditur konstitucional dhe politik në botë.  Kështu që mos kini merak, edhe kjo iniciativa për Shengenin Ballkanik do të dështojë, siç ka dështuar instrumenti kryesor ekonomik i BE-së i krijuar për vetë Ballkanin, i quajtur CEFTA”, ka shkruar Qorroli në profilin e vet në “Facebook”.

Minishengenin Ballkanik e ka komentuar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, i cili ka thënë se kjo iniciativë është ndërmarrë në një situatë zhgënjimi të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij maqedonas Zoran Zaiev, pas moshapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në.

“Është një lëvizje emocionale dhe jo e menduar mirë në rrafshin strategjik. Është një lëvizje tipike ndarëse ballkanike. Dëshpërimi në raste të tilla nuk duhet të jetë motivi lëvizës vendimmarrës. Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të shkojnë ndaras në projekte rajonale. Është interes strategjik maksimalizimi i fuqisë ndikuese në rajon”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo gjë mund të bëhet vetëm përmes një koordinimi dhe hapërimi të menduar mirë.

“As minishengeni dhe as euroskepticizmi populist nuk janë zgjidhje. Orientime strategjike kombëtare të shqiptarëve janë Evropa dhe Perëndimi. Rikthimi te idetë për një strukturë të re integruese ndërballkanike është shmangie prej të dëshpëruari nga orientimi strategjik evropian. Për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe NATO Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë momente serioze të reflektimit diplomatik, duke vënë në zbatim artin e negocimit dhe diplomacinë me sens dhe durim”, është shprehur Kiçmari.

Kurse presidenti Hashim Thaçi, i cili ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit, që ishte në shërbim të kësaj nisme, ka thënë kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Përpjekja për Shengen Ballkanik është iniciuar kohë më parë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në Novi Sad. Kjo vijoi këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Këto tri vende janë pajtuar që takimi i radhës i këtij samiti të mbahet në muajin dhjetor, në Durrës.

Muahmet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vendin tonë do të mbajë mot me vranësira dhe…