Kosova me katër lidershipë dhe një potencial të humbur
Nga: Nijazi Idrizi
Kosova jonë ka institucione, por nuk ka drejtim. Ka qeveri, por nuk ka udhëheqje. Paradoksi i saj nuk qëndron te mungesa e elitës politike, por te segmentimi i saj në katër modele lidershipi që bashkëjetojnë pa u integruar në një vizion të përbashkët shtetëror.
Së pari, lidershipi i dalë nga ilegaliteti dhe Lufta e UÇK-së mbetet boshti historik i pushtetit të Kosovës së lirë. Me legjitimitet të ndërtuar mbi luftën dhe sakrificën, ky model e ka dominuar politikën, por shpesh duke e bartur logjikën e komandimit dhe të ilegalitetit në qeverisje, me çka e ka vështirësuar konsolidimin e shtetit ligjor.
Së dyti, lidershipi i formuar në kushtet e pushtimit, i cili përfaqëson rezistencën paqësore. Ky model e ndërtoi idenë e shtetit përpara shtetit, duke i dhënë Kosovës legjitimitet politik dhe ndërkombëtar. Pas luftës, kjo trashëgimi nuk u zhvillua dhe e humbi fuqinë e saj vizionare.
Së treti, ekziston lidershipi i ardhur nga diaspora, i cili ka sjellë përvoja dhe modernizuim, por ka vepruar pa investime të dukshme në ekonomi, pa rrënjë të thella në shoqëri dhe pa kapacitet për tu shndërruar në fuqi të qëndrueshme politike.
Së fundi, brezi i formuar në liri, që kërkon legjitimitet përmes performancës, meritës dhe transparencës. Ky brez përfaqëson potencialin për kapërcimin e narracionit të vjetër, por ende përballet me trashëgiminë e pa artikuluar të pasluftës.
Midis këtyre katër lidershipëve qëndron edhe një brez i humbur intelektualësh dhe profesionistësh i formuar në Kosovë dhe perëndim, pa barrën e luftës dhe pa kapital politik të trashëguar. Ky brez nuk ka dështuar për mungesë aftësie, por për mungesë hapësire. Kontributi i tij mbetet i shpërndarë dhe i padukshëm, ndërsa shteti vazhdon të funksionojë pa ekspertizë permanente dhe pa meritokraci reale.
Aktualisht problemi i Kosovës nuk është pluralizmi i lidershipëve, por mungesa e një mekanizmi integrues ndërmjet tyre. Për sa kohë secili model e sheh shtetin si vazhdim të historisë së vet, e jo si projekt të përbashkët, Kosova do të vazhdojë të qeveriset, por jo të udhëhiqet.
Humbja më e madhe nuk është mungesa e ideve, por pamundësia për ti shndërruar ato në vlera për shtetin dhe popullin e Kosovës.



