
Kosova nën ‘krahun mbrojtës’ të Turqisë
Furnizimi i Kosovës me teknologji moderne ushtarake, së bashku me rimarrjen e komandës së KFOR-it, sipas njohësve, pasqyron zgjerimin e rolit të Turqisë, në kuadër të NATO-s, në mbrojtjen e Kosovës.
Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me teknologji moderne ushtarake turke, krahas rimarrjes së komandës së KFOR-it, nuk reflekton vetëm thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Turqisë, në kohën e ndryshimit të qëndrimit perëndimor ndaj Kosovës, por edhe zgjerimin e detyrave mbrojtëse të Turqisë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik të krijuar pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Jamie Shea, profesor i çështjeve të sigurisë në Institutin e Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Exeterit në Britaninë e Madhe, ka vlerësuar për “Albanian Post” se Turqia është, ndoshta opsioni më i mirë për Kosovën, jo vetëm për faktin se Turqia është një furnizues i besueshëm i armëve, por edhe duke pasur parasysh ndryshimet në qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Kjo është një marrëveshje që ka logjikë, duke pasur parasysh se Turqia është një mbështetëse e fortë e Kosovës dhe mban reputacionin e një furnizuesi të besueshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse kur një vend blen një sistem armësh, ai ka nevojë për një marrëdhënie afatgjatë mbështetjeje në aspektin e trajnimit, pjesëve rezervë, municioneve dhe mirëmbajtjes. Pra, kjo është një marrëdhënie që nuk do t’i nënshtrohet ndryshimeve të vazhdueshme dhe ndërhyrjeve politike”, ka thënë Shea.
Ai ka theksuar gjithashtu se bashkëpunimi me Turqinë nuk synon të zëvendësojë integrimin në NATO dhe në BE, por ka për qëllim të ofrojë mbështetje strategjike dhe teknike afatgjatë, duke siguruar që vendi të ketë kapacitete të qëndrueshme ushtarake, ndërsa vazhdon të lëvizë drejt plotësimit të standardeve euroatlantike.
E blerja e dronëve kamikazë të tipit “Ready-to-Fly” të destinuar për operacione të vëzhgimit dhe shënjestrimit vjen në mënyrë paralele me rimarrjen e komandës së KFOR-it nga Turqia, një hap që, sipas njohësve të sigurisë, pozicionon Turqinë si një lojtar kyç në tejkalimin e përçarjeve të mundshme midis perceptimeve të sigurisë evropiane dhe transatlantike, duke i ofruar gjithashtu mundësinë për të demonstruar ndikimin e saj strategjik në balancimin e marrëdhënieve me NATO-n dhe Rusinë.
“Ky lidership zgjeron ndihmën e Turqisë për operacionet e përbashkëta të sigurisë dhe e pozicionon si një lojtar kyç në formësimin e kohezionit dhe aftësive të ardhshme parandaluese të NATO-s, në mes të konkurrencës së përtërirë midis fuqive të mëdha”, ka argumentuar Bulent Durgun, profesor i sigurisë në Universitetin “Arel” në Stamboll.
Durgun konsideron se rimarrja e komandës është më shumë se një rotacion rutinë: ajo, sipas tij, përfaqëson një manovër strategjike në nyjën e parandalimit, besueshmërisë dhe ndikimit diplomatik në një epokë të kontestimit të vazhdueshëm global.