Kosova njofton Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.
“Drafti siguron, jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi ajo në Facebook.
Ministrja Gërvalla tha se me konkretizimin e zotimit për themelimin e Asociaiconit, Kosova pret që Këshilli i Evropës ta përmbushë pjesën e vet “të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi, të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.
Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg. Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos.
Në letër, autenticitetin e së cilës, Qeveria e Kosovës e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, thuhet se draft-statuti që po përgatit Kosova do t’i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe [në kuadër të obligimeve të neneve 7 dhe 10] të frymëzuar nga organizata Friedrich Ebert, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit të vitit 2024”, thuhet në letër.