Kosova organizatore e evropianit U-18

04 dhjetor 2017 | 14:38

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt). Kampionati do të mbahet prej 22 deri më 29 korrik të vitit 2018.

Këtë vendim e ka marr Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur në Munchen. Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën në përgjithësi kjo është një e arritur e madhe. FIBA tani pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të dërgoj në vizitë inspektuese zyrtarët e saj për të zhvilluar takime me zyrtarë të FBK-së rreth përgatitjeve për organizimin e Kampionatit. Ushtruesja e detyrës së sekretarit të Përgjithshëm, Elvira Dushku, ka thënë se fakti se FIBA ia ka besuar FBK-së organizimin e një eventi siç është Kampionati Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt) është një shtytje e madhe për Federatën që të punoj edhe më shumë në zhvillimin e gjeneratave të reja, gjë që edhe e ka bërë në katër vitet e fundit. “FBK-ja tash e sa vjet është pjesë e disa projekteve për gjenerata të reja të FIBA-s dhe në të gjitha këto projekte ne jemi treguar të organizuar në çdo aspekt, por në të njëjtën kohë kemi dëshmuar edhe përkushtim shumë të madh në punën me gjenerata të reja. Kjo edhe ka qenë ndër arsyet që FIBA ia ka besuar FBK-së organizimin e një eventi të tillë siç është Kampionati Evropian”, ka thënë Dushku. “Nuk duhet harruar edhe lobimin që e ka bërë kryetari i FBK-së, Erolld Belegu tek zyrtarët e FIBA-s, pasi puna e tij serioze në krye të Bordit të FBK-së ka qenë një arsye shumë e madhe për FIBA-n për të na besuar këtë organizim. Ne jemi shumë të emocionuar që vitin e ardhshëm do t’ju sjellim adhuruesve të basketbollit kosovar një Kampionat Evropian në Kosovë dhe në të njëjtën kohë premtojmë se do të punojmë që gjithçka sa i përket organizimit të shkoj në mënyrën më të mirë të duhur. Pas Përfaqësueses së Kosovës, e cila këtë verë ka zënë vend në mesin e 32 kombëtareve evropiane në kualifikimet për Kupën e Botës ‘Kina 2019’, kjo është një tjetër e arritur e madhe për basketbollin, por edhe sportin kosovar në përgjithësi”, ka deklaruar Dushku.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gjyqtar i Belgjikës më 14 të këtij muaji do…