Kosova sonte përballet me Armeninë

16 nëntor 2022 | 10:50

Futbollistët “dardanë” janë përgatitur për miqësoren që zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Armenisë. Përzgjedhësi Alain Giresse ka thënë se kjo miqësore dhe tjera që zhvillohet pas tri ditësh ndaj Ishujve Faroe do t’i shërbejnë lojtarëve të rinj për të dëshmuar vetën, derisa Lindon Emërllahu beson se lojtarët e ftuar do të dëshmohen dhe do të fitojnë një vend në përfaqësuese edhe për ndeshjet zyrtare

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e mërkurë) zhvillon ndeshje miqësore me Armeninë nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fillimisht nga “dardanët” në konferencë për medie të martën u paraqiten përzgjedhësi Alain Giresse dhe mesfushori Lindon Emërllahu, kurse po të njëjtën ditë u zhvillua edhe stërvitja e fundit para miqësores ndaj armenëve. Përzgjedhësi Giresse duke folur për miqësore që zhvillon Kosova në këtë muaj, ka thënë se qëllimi i tij dhe stafit teknik ka qenë të ftohen lojtarët e rinj të cilët nëse dëshmohen mund të jenë pjesë e përfaqësueses edhe në të ardhmen.

“Siç e keni parë në listë përzgjedhja ishte që tu jepet hapësirë lojtarëve të rinj. Lojtarët në listë i njohim, por kjo do të jetë mundësi për ta dhe të shohim se si do të paraqiten. Kjo është ajo që desha të prezantojë dhe kjo ishte strategjia për t’i thirrur këta lojtarë të rinj”, ka thënë Giresse.

“Këto dy lojë jam i interesuar për lojtarët e rinj. Për ta është mundësi të tregojnë veten dhe pse jo që të ardhmen të jenë bazë të ekipit të Kosovës. Eksperienca nuk është e rëndësishme në këto lojë sa është e rëndësishme zbulimi i talentit dhe lojtarëve të rinj”, ka shtuar Giresse. Në konferencë për medie foli edhe mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, i cili grumbullohet në Përfaqësuesen e Kosovës për herë të dytë në karrierën e tij. Mesfushori që tregoi formë të lartë me skuadrën kampione në ketë edicion, ka thënë se ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe janë një rast i mirë për lojtarët e rinj që të duhet të shfrytëzohen për të fituar një vend në ekipin përfaqësues.

“Jemi gjithë lojtarë të rinj në këtë grumbullim. Shpresojmë që të paraqitemi më mirë. Pse jo të ftohemi edhe në grumbullime të tjera. Shpresoj që në këto dy lojë të kam hapësirë për t’i treguar vlera e mia. Besoj që me paraqitjet me Ballkanit të më ndihmojnë dhe të paraqitem sa më mirë edhe te Kosova. Shpresoj ta kem rastin dhe pse jo të tregoj vlerat e mia për të pasur mundësitë për të ardhmen”, ka thënë Emërllahu.

Ndeshja mes Kosovës dhe Armenisë zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse tri ditë me vonë po në të njëjtin stadium Kosova përballet me Ishujve Faroe.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë…