Kosova synon ta nisë me këmbë të mbarë kampanjën kualifikuese

25 mars 2023 | 09:31

Sonte (e shtunë) fillon rrugëtimi i “dardanëve” në kualifikueset për “Euro 2024”. Sulmuesit Vedat Muriqi dhe Albion Rrahmani kanë shprehur optimizëm se Kosova mund të marrë tri pikë nga ndeshja e parë kundër Izraelit. Në grupin e Kosovës bëjnë pjesë edhe Zvicra, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e shtunë) fillon kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Të premten futbollistët “dardanë” kanë mbërritur në Tel Aviv. Sonte ata do të kërkojnë rezultat pozitiv kundër Izraelit në ndeshjen e parë të Grupit I, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra, Bjellorusia, Rumania dhe Andorra. Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka thënë se lojtarët e Kosovës janë në formë të mirë dhe kjo do të vërehet që në ndeshjen e parë. Ai ka thënë se “dardanët” në Izrael kërkojnë fitore.

“Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht se kjo do të vërehet që në ndeshjen e parë. Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore. Izraeli së bashku me Zvicrën janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën. Kur them surprizën e them në aspektin medial, ngaqë për ne, nëse fitojmë atje, nuk është surprizë sepse ne po shkojmë atje për fitore, pasi synojmë t’i fillojmë mbarë kualifikimet. Me këtë kualitet që kemi besoj se do të arrijmë diçka që e kemi pritur për shumë vjet. Na ka marrë malli për tifozët tanë ‘Dardanët’, të cilët na përkrahin anembanë botës pa marrë parasysh se ku jemi. Dua që ata vetëm të kenë durim dhe të na përkrahin si gjithmonë”, ka thënë Muriqi.

Për herë të parë në Përfaqësuese është ftuar sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, i cili është edhe lojtari i vetëm nga Superliga e Kosovës. Rrahmani ka thënë se Kosova ka një skuadër të mirë dhe në Izrael duhet të luftojnë për tri pikë. Ai ndihet i privilegjuar që është ftuar nga përzgjedhësi Giresse, derisa ka thënë se kjo ftesë është motiv për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. “Është një ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Unë këtu jam lindur dhe rritur si futbollist. Shpresoj ta ndihmoj ekipin në objektivat e tij dhe të kualifikohemi në ‘Euro 2024’. Izraeli? Besoj në rezultat pozitiv, pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe të gjithë janë në ecuri të mirë në klubet e tyre. Shpresoj ta dëshmojnë këtë edhe në ekipin përfaqësues dhe t’i arkëtojmë tri pikë atje. Përfaqësues i Superligës në Përfaqësuese? Është privilegj. Zgjedhja e trajnerit Alain Giresse më ka dhënë motiv jashtëzakonisht shumë që të vazhdoj me gola në Superligë. Por, fillimisht shpresoj të nxjerrim rezultate pozitive me përfaqësuesen e pastaj të vazhdojmë përmbushjen e objektivave me klubin”, ka deklaruar Rrahmani. Optimist janë shprehur edhe përzgjedhësi Giresse dhe lojtarët e tjerë “dardanë”.

Ndeshja në mes të Izraelit dhe Kosovës zhvillohet me fillim nga ora 18:00.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani (Komenti në shkrimin tim: “ TAKIMI I ALI…