Kosova U18 e mbyll Kampionatin Ballkanik me fitore bindëse ndaj Moldavisë
Përfaqësuesja U18 e Kosovës në volejboll e ka mbyllur me fitore pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik, pasi në ndeshjen për vendin e shtatë ka mposhtur Moldavinë me rezultat të pastër 3:0 në sete.
Kosova e nisi takimin me ritëm të lartë dhe kontroll të plotë të lojës, duke dominuar që nga fillimi. Organizimi i mirë dhe efikasiteti në sulm i sollën Kosovës fitoren në setin e parë me rezultat 25:17.
Edhe në setin e dytë, volejbollistët kosovarë vazhduan paraqitjen e mirë, duke ruajtur epërsinë gjatë gjithë kohës dhe duke e mbyllur setin me rezultat 25:18.
Seti i tretë ishte më i luftuar, me Moldavinë që qëndroi afër në rezultat deri në fund. Megjithatë, Kosova tregoi qetësi në momentet vendimtare dhe fitoi setin 25:23, duke siguruar triumfin 3:0.
Me këtë fitore, Kombëtarja U18 e Kosovës e përfundon Kampionatin Ballkanik në vendin e shtatë, duke e mbyllur turneun me një paraqitje pozitive dhe një sukses të rëndësishëm.



