KOSOVA VAZHDON TË MBETET OBJEKT I LOJËRAVE GJEOPOLITIKE

02 janar 2021 | 10:32

ShBA-ja dhe Rusia kanë bërë një rindarje të sferave të influencës në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kaukaz, me ç’rast Mali i Zi i është lënë sërish influencës ruse, duke rikrijuar në Ballkan një masë potenciale tumoroze antiatlantike, bashkë me Serbinë dhe Republikan Serpska. Kjo masë tumoroze antiatlantike mund ta rritë presionin më vonë edhe mbi Bosnjën dhe mbi Kosovën.

Milazim KRASNIQI

E kaluara e kombeve dhe e shteteve të Ballkanit nuk ndihmon aspak asnjë përpjekje që provohet të bëhet për bashkëpunimin ose integrimin miqësor e paqësor të tyre as në shekullin XXI, kur integrimi dhe globalizimi ka përthekuar edhe rajone shumë më problematike se sa ky rajon. Ndonëse ka një pjesë të historisë, e cila do të mund të ndihmonte atë projekt bashkëpunimi e integrimi, por pikërisht ajo pjesë e historisë injorohet dhe tentohet me çdo kusht që të harrohet. Ajo pjesë e historisë ku banorët e këtij rajoni kanë jetuar kryesisht në paqe e deri diku edhe në harmoni, përfshin një periudhë të gjatë të sundimit Osman (jo gjithë periudhën.) Shekujt XVI-XVIII mund të përfshihen në këtë vlerësim, ndërsa nga shekulli XIX, kur fillon formimi i kombeve ballkanike, fillojnë edhe konfliktet dhe kasaphanat, që kulmojnë me Luftërat ballkanike, të cilat paraqesin shembuj të lemerishëm të mizorive ndërmjet kombeve të Ballkanit. Faktikisht në këtë periudhë fillon të përdoret edhe termi Ballkan dhe ballkanizim, për ta shprehur copëtimin e territoreve dhe mizorinë, në emër të kauzave irracionale kombëtare.

Evropianët e infektuan Ballkanin me mizoritë e veta

Po nga erdhi ai pasion për mizori, pas disa shekujsh bashkëjetese në një perandori shumëkombëshe, ku të krishterët e Ballkanit e kishin statusin e një mileti (populli) të veçantë, pa asnjë tentim që të osmanizoheshin? Kryeshkakun e këtij shpërthimi barbar të dhunës, studiuesja e famshme, Maria Todorova, e ka identifikuar te ndikimi i kombeve të mëdha evropiane, Fuqive të Mëdha, mbi projektet nacionale të ballkanasve. Kombet e mëdha evropiane i kanë nxitur drejt kombformimit, duke ua mësuar përdorimin e dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidin, si mjet për arritjen e qëllimeve kombëtare. Todorova konstaton se në pasionin për shkaktimin e kasaphanave, ballkanasit mbeten joevropian në krahasim më evropianët: “Me të vërtetë, ka diçka që është qartazi joevropiane në faktin që Ballkani asnjëherë nuk mundi të arrijë – përmasat e kasaphanave evropiane”. Sidoqoftë, të nxitur nga sponsorët e mëdhenj evropianë, ballkanasit e filluan me mjete gjenocidale Luftën e Parë Ballkanike, me pretekst të dëbimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani, por esencialisht me synimin që të copëtonin territoret e popujve që nuk bënin pjesë në aleancën ballkanike (malazezët, serbët, bullgarët e grekët.) Nga shikimi më i përciptë në hartë, menjëherë shihet se caku kryesor ishte copëtimi i territoreve ku jetonin shqiptarët. Zbatimi i atij komploti të katër shteteve ortodokse, rezultoi me gjenocid kundër myslimanëve në Ballkan, me objektivin kryesor kombin shqiptar. Ndërsa Lufta e Dytë Ballkanike u shndërrua në kasaphane ndërmjet vetë aleatëve të krishterë ortodoks (serbëve, grekëve e edhe rumunëve kundër bullgarëve.)
Nga arroganca e ballkanasve që u farkua në dy luftërat ballkanike, veçmas nga arroganca e serbëve, u provokua edhe Lufta e Parë Botërore (1914-1918), e cila pastaj e përfshiu në kasaphanë mbarë Evropën. Në fund të asaj lufte u zhbënë perandoritë habsburge, osmane e ruse, me ç’rast në territoret e dy të parave u formuan një numër shtetesh sllave, të cilat në atë mënyrë e ballkanizuan edhe një pjesë të madhe të Evropës Qendrore. Ndërsa, në Rusi triumfoi bolshevizmi, një ideologji që do të bëhej vrastare për një pjesë të madhe të Evropës dhe të Ballkanit.
Ndryshimet e mëdha gjeopolitike e ideologjike që ndodhën, përgatitën edhe klimën për Luftën e Dytë Botërore, e cila ishte shumë më gjakatare se sa e para. Pra, virusi i mizorisë që i kishin injektuar kombet e mëdha evropiane në kombet e vogla ballkanike, duke ua mësuar spastrimin etnik dhe gjenocidin, u përhap si epidemi shkatërrimtare edhe në vetë kombet e mëdha evropiane. Në kujtesën e kombeve të sotme ballkanike kanë mbetur përvojat e tmerrshme të luftërave ballkanike dhe të luftërave botërore, ndërsa periudhën e jetës në paqe e harmoni nën sundimin Osman, praktikisht e kanë injoruar dhe e kanë harruar. Prandaj narracionet e këtyre historive janë të pafuqishme, në ndonjë tentativë për ta jetësuar jetën në paqe dhe integrimin e kombeve dhe shteteve të sotme ballkanike.

Paaftësia dhe pafytyrësia e Bashkimit Evropian

As Bashkimi Evropian,me ofertën e vet ekonomike, kulturore e gjeopolitike, nuk po arrin ta shërojë plagën e infektuar para më shumë se një shekulli. Në fakt, Bashkimi Evropian ka bërë vetëm përpjekje parciale. Pranimi në Bashkimin Evropian i Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë e Kroacisë, faktikisht nuk ka prekur fare në plagën e infektuar të Ballkanit. Plaga e hapur e të kaluarës është në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Malin e Zi. Kjo është harta që mbartë pasojat e Krizës Lindore, të provokimit të Luftës së Parë Botërore, të zhbërjes së një shteti sovran – Malit të Zi dhe të spastrimit etnik e gjenocidit në vitet 1998-199 në rastin e Kosovës. Bashkimi Evropian përkatësisht kombet e mëdha evropiane, francezët, gjermanët, italianët e anglezët nuk kanë gjetur asnjë formulë si mund të shërohet plaga të cilën ata e kanë hapur para më shumëse një shekulli në këto hapësira. Prandaj, herë bëjnë njërin sy qorr, herë u rikthehen ideve të vjetra imperialiste, por as kanë vrasje ndërgjegjeje e as aftësi për ta mbyllur krizën. Kjo u pa më së miri në kohën e luftës në Bosnje (1991-1995) dhe në luftën në Kosovë (1998-1999.) Po të mos ishte vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që imponuan Marrëveshjen e Dejtonit (1995) dhe atë të Kumanovës (1999), turpi do ta mbulonte Bashkimin Evropian, njësoj si në kohën e luftërave ballkanike, kur jo vetëm që nuk e ndaluan gjenocidin serb, kundër shqiptarëve, po në fakt i fshehën edhe informacionet e konsujve dhe të gazetarëve.
Paaftësia dhe pafytyrësia e Bashkimit Evropian u pa edhe kohët e fundit, kur Bullgaria e bllokoi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut. Brukseli rrudhi krahët dhe e la mundësinë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të gjejnë zgjidhje në biseda dypalëshe. E lanë të kërkojnë zgjidhjen Bullgaria e Maqedonia e Veriut, që po të mos ishte inxhinieringu brutal i Fuqive të Mëdha Evropiane, do të ishte zgjidhur me kohë, me krijimin e një shtet-kombi bullgar, kur kombi i sotëm maqedonas nuk ekzistonte. Nëse arrihet tash një marrëveshje lidhur me të kaluarën e komplikuar dhe të mjegulluar, pas formimi të kombit maqedonas, do të jetë meritë e vetë këtyre dy shteteve e aspak e Bashkimit Evropian. Zgjidhja është e mundshme, nëse kryeministri Bojko Borisov i përmbahet asaj që pati deklaruar para një viti lidhur me qëndrimin e Bullgarisë ndaj NATO-s: “Nuk dua të jap kurrfarë komentesh për NATO-n, duke pasur para sysh se në anën e majtë, në Detin e Zi, e kemi Krimenë, në anën e djathtë Stambollin, ndërsa prapa nesh Kosovën”. Pra, Borisov po thotë se nuk lejohen aventura dhe se nuk ka siguri jashtë NATO-s. Ky është një pragmatizëm, nga i cili duhet të mësojnë edhe liderët e Maqedonisë së Veriut, po edhe të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Bile Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe BeH, janë në pozitë shumë më të keqe se sa Bullgaria, për ç’arsye u duhet edhe më shumë pragmatizëm.
Ombrella e NATO-s këtyre shteteve u duhet veçmas që të shpëtojnë nga komplotet ruse, të cilat alternohen në vazhdimësi, me synim që rajonin ta mbajnë në gjendje jostabiliteti, me çka Rusia mund t’i bëjë më lehtë presion Bashkimit Evropian po edhe NATO-s. Sikundër dihet, në Malin e Zi pati tentativë për grushtet dhe vrasjen e Gjukanoviqit, skundër që në Maqedoni u tentua të nxitej gjakderdhje dhe kaos në prill 2017. Edhe vizita e këtyre ditëve e ministrit rus të punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Llavrovit, ishte provokim dhe skandal me efekte polarizuese në shtetin që sapo shënoi njëzet vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit. Bashkimi Evropian, prapë vazhdon ta hajë turpin me bukë.

Rindarja e fut Ballkanin në pako me Kaukazin dhe Lindjen e Mesme?

Pra, jo vetëm e kaluara, për as e tashmja e shteteve ballkanike nuk po mundëson bashkëpunim e integrim miqësor e paqësor të këtyre shteteve, ngase nxitja për konflikte e përçarje sërish vjen nga jashtë, nga Rusia në rend të parë, por pa dyshime dhe nga shtete të tjera të mëdha perëndimore. Fjala vjen, në idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ka indikacione se qenë i involvuar një segment i administratës së SHBA-ve, me Xhon Bolltonin në krye. Ndërsa po për Malin e Zi, presidenti Tramp, pas sjelljes së tij të pahijshme ndaj ish-kryeministrit malazez në një samit të NATO-s, pati deklaruar se NATO nuk do të hynte në luftë për Malin e Zi. Ajo që ndodhi më vonë është restaurimi i ndikimit rus e serb mbi Malin e Zi. Ka zëra që pohojnë se ka ardhur deri te një ndarje e re e sferave të influencës ndërmjet SHBA e Rusisë në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kuakaz. Nëse këto parashikime janë të vërteta, ato e bëjnë edhe më të vështirë pozitën e shteteve të brishta të Ballkanit, veçmas Maqedonisë së Veriut Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës. Sipas këtyre projeksioneve, SHBA dhe Rusia kanë bërë një rindarje të sferave të influencës në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kaukaz, me ç’rast Mali i Zi, i është lënë sërish influencës ruse, duke rikrijuar në Ballkan një masë potenciale tumoroze antiantalntike, bashkë me Serbinë dhe Republikan Serpska. Kjo masë mund ta rritë presionin më vonë edhe mbi Bosnjën dhe mbi Kosovën. Ndoshta do të testohet ridizajnimi i Serbisë së Madhe, në të ardhmen si një formacion jo domosdoshmërisht antiatlantik, por gjithsesi rusofil? Me Trampin, ky projekt, bashkë me mini Shengenin ballkanik që u promovua në Marrëveshjen e Uashingtonit(shtator 2020), do të shtyhej përpara dhe do të shfrytëzohej jo vetëm si partneritet i ri me Rusinë, po edhe si presion kundër Bashkimit Evropian. Me Bajdenin pritet të rishikohet i tërë ai konstruksion.
Në të gjitha këto përvoja e zhvillime, shqiptarët mund të kenë një rol, si subjekt, nëse organizohen dhe nëse dinë çka duan, ose si objekt, nëse vazhdojnë të menaxhojnë shtete e shoqëri të dështuara. Recetat për elitat politike të shqiptarëve janë të padobishme, pasi ende përdorin në politikë receta popullore, thënë figurativisht. Thënë më butë: nuk janë kërkah.
Po qe se kthjellohen, do të duhej të ndiqnin lëvizjen e rrathëve koncentrikë në hartimin e politikave shtetërore e kombëtare, duke harmonizuar interesat e shteteve ekzistuese (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut.) Pra, jo me subordinim, siç bënë Serbia, po me koordinim dhe harmonizim. Por, për të arritur në atë pikë, pjesa pushtetore e elitave të tashme shqiptare në këto tre shtete, duhet të pensionohen. Ndërsa, kjo nuk është e mundur me këto shoqëri të traumatizuara, të frikësuara, të varfëruara e të tjetërsuara. Prandaj ka rrezik që do të mbetemi vetëm objekt i lojërave dhe eksperimentimeve edhe për një kohë.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
REXHEP QOSJA 1. Megjithëse numri i tyre është i madh,…