Kosovë-Shqipëri, memorandum bashkëpunimi në fushën e bizneseve

26 qershor 2019 | 10:53

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Qendrën Kombëtare të Biznesit të Republikës së Shqipërisë.

Ministri i kësaj ministrie, Endrit Shala, ka thënë se nënshkrimi i këtij memorandumi është forcim ii lidhjes së Kosovës dhe Shqipërisë, dhe do të shërbej për zhvillimin e ekonomisë, promovimin e inovacionit dhe shkëmbimin e teknologjisë.

“Qëllimi i këtij memorandumi mirëkuptimi është themelimi i një mekanizmi fleksibil dhe me fushë të gjerë për udhëzimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Palëve në fushën e regjistrimit të bizneseve, në përputhje me përgjegjësit e të dy agjencive në këtë fushë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve ka bërë disa ndryshime dhe në shkurt të këtij viti ka lansuar platformën e re elektronike për regjistrimin online të bizneseve, duke thjeshtëzuar procedurat dhe shkurtuar kohën për bizneset.

“Kosova sot është njëri nga vendet në Evropë që biznesin mund ta hapësh për 24 orë, por ne do të vazhdojmë të krijojmë kushte edhe më të mira. Shqipëria për Kosovën është vend mike dhe çdo marrëveshje është e mirëpritur dhe do ndikojë në shkëmbimin e përvojave duke konsideruar se memorandumet duhet të shtrihen edhe në fusha tjera”, ka thënë Shala.

Ministri Shala ka inkurajuar dy agjencitë të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë që bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë të provohen dhe afrohen edhe më shumë.

Ky memorandum parasheh 11 fusha të bashkëpunimit, si: shkëmbimin e informacionit mbi legjislacionin në fushën e regjistrimit të bizneseve dhe reflektimet për përmirësimin e tij; shkëmbimin e publikimeve të ndryshme në lidhje me fushën e regjistrimit të bizneseve, bashkëpunim në programet e trajnimit lidhur me regjistrimet e bizneseve; bashkëpunim në fushën e regjistrimit të bizneseve dhe shërbimeve për publikun, etj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim prefektin e qytetit…