Flet ambasadori amerikan Greg Delawie: Kosovën e presin tema serioze

31 dhjetor 2017 | 10:10

Në përgjigjen e parë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ambasadori amerikan Greg Delawie ka porositur përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që t’i përvishen punës në vitin 2018, pasi vendin e presin tema serioze.

Ai ka thënë se qeveria duhet të punojë në agjendën e reformës evropiane, e cila është thelbësore për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Delawie ka theksuar se Kosova duhet t’ua demonstrojë aleatëve ndërkombëtarë se mund t’i kryejë punët, përfshirë edhe marrjen e vendimeve të vështira. Ambasadori amerikan ka kërkuar miratimin e shpejtë të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi si dhe ka shprehur qëndrimin kundër ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Kosova nuk humbet tokë sipas kësaj marrëveshjeje. Kjo çështje e ka mbajtur peng Kosovën tashmë më shumë se dy vjet. Shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë për qëllimet politike. Kjo dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe ndikon negativisht te qytetarët”, ka thënë Delawie. Ai ka pohuar se Kosova ka arritur progres për këta dhjetë vjet të ekzistimit si shtet.

I pyetur për performancën e Qverisë së udhëhequr nga Haradinaj, ambasadori Delawie ka thënë se roli i tij në Kosovë nuk është ta notojë performancën e qeverive, por ka dhënë një vlerësim. “Kohët e fundit po shoh energji pozitive nga qeveria”, është shprehur Delawie.

“Epoka e re”: Z. Ambasador Delawie, si po e përmbyll Kosova këtë vit dhe ju si ambasador?
Delawie: Si shumë njerëz në Kosovë, edhe unë do t’i kaloj festat e fundvitit me familje. Përderisa e kujtoj këtë vit për Kosovën, e pres me padurim përvjetorin e dhjetë të pavarësisë që do ta festojmë së shpejti në 2018-n. Nuk kam se si të mos mahnitem se sa shumë ka ecur Kosova përpara. Shpresoj se përderisa zyrtarët e Kosovës të kthehen të freskët në Vitin e Ri, ata do t’i përvishen punës sa më parë që është e mundshme, për t’u marrë me disa prej çështjeve më serioze të Kosovës si me miratimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, luftimin e korrupsionit, miratimin e Ligjit për Liritë Fetare dhe dekretimin e politikave që do ta mundësojnë rritjen ekonomike të Kosovës.

“Epoka e re”: Në dhjetor pamë një iniciativë të disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ka ndryshuar qëndrimi i ShBA-së nga ajo që kemi dëgjuar nga ju më herët?
Delawie: Para së gjithash, më duhet të them se isha i indinjuar nga përpjekja e së premtes (22 dhjetor) për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale që është thelbësore për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe ta tregojë gatishmërinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Ky proces u udhëhoq nga disa individë. Ishte e qartë se u ndërmor në fshehtësi në mënyrë që t’i iket shqyrtimit të kujdesshëm nga opinioni i Kosovës dhe miqtë e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer në ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre për t’i promovuar interesat personale të tyre. Ata që qëndrojnë pas kësaj iniciative ne do t’i shohim si bashkëfajtorë në çfarëdo tentimi të mëtutjeshëm për të shfuqizuar apo ndryshuar ligjin, apo për ta minuar përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës në çfarëdo mënyre. Çfarëdo përpjekje e tillë do të shkaktonte pasoja të thella dhe specifike për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin ekskluziv festiv të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi e fitoi titullin në La Liga, por edhe…