“Kosovo for dummies” hapi Festivalin “Talia e Flakës”

24 janar 2021 | 17:00

Teatri i Qytetit i Gjilanit, me shfaqjen premierë “Kosovo for dummies”, të autorit Jeton Neziraj e me regji të Blerta Rrustemi-Neziraj, ka hapur Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, një ndër shtyllat kryesore të manifestimit kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2021” që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të rënë nëpër historinë tonë të lavdishme për liri e pavarësi.

Festivalin “Talia e Flakës” e ka shpallur të hapur Deniza Limani, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, e cila, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar për këtë festival, për të gjitha ato pesë shfaqje që do të vijnë para publikut si pjesë e këtij festivali. Duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve në sallë, ajo ka thënë se ky teatër për çdo muaj organizon program të mirëfilltë. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se ndihet krenare me artistët tanë dhe me “ata që janë nga Gjilani e që po na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në Kosovë e botë”.

Ndërsa drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se për shkak të pandemisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të rekomandimeve të IKShPK-së dhe respektimit të masave anti-Covid, numri i spektatorëve është i kufizuar. Ai ka thënë se kufizimin e këtij numri e ka përjetuar me dhimbje “sepse ky teatër, kjo sallë, kjo hapësirë, është mësuar që në festivale të tilla të jetë e stërmbushur”. Përndryshe, në natën e parë është dhënë shfaqja nikoqire “Kosovo for dummies”,  një prodhim premierë i Teatrit të Gjilanit, që rrëfen historinë e një vajze të re, Antigonës nga Kosova, një histori kjo sa qesharake aq edhe absurde pasi ajo përballet me kërkesa të pakuptimta të autoriteteve zvicerane, për dokumentacione të llojllojshme, duke përfshirë këtu edhe dokumentin me të cilën do të dëshmonte se ajo nuk është rinoqeront, vetëm e vetëm që t’i refuzohej një të huaji, në këtë rast një kosovareje, lejeqëndrimi në Zvicër.

Kjo shfaqje mund të shihet edhe si një ngacmim që bëhet përmes artit, të atyre që janë përgjegjës që duhet të merren me të drejtat e qytetarëve të tyre, me fokus të veçantë me çështjen e lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe trajtimin që iu bëhet atyre në shtetet e Evropës, aty ku ata ia mësyjnë si emigrantë.

Në shfaqje luajnë: Tringa Hasani, Aurita Agushi, Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Avni Shkodra, Safete Mustafa.

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” do ta vazhdojë rrugëtimin me shfaqjen e natës së dytë (24 janar, ora 18:00), që vjen prodhim i Teatrit “Muharrem Qena” nga Mitrovica. Është kjo shfaqja  “Thyerja”, e autorit Abdyl Bunjaku e me regji të Agim Selimit.

Kujtojmë se në natën e fundit përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të “Talia e Flakës 2021” para publikut artdashës gjilanas, më 27 janar do të paraqitet Teatri Kombëtar i Prishtinës me shfaqjen e punuar nga regjisori Erson Zymberi, sipas tekstit të Beqir Musliut, “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri ora të dorës në vlerë të konsiderueshme materiale u…