KPK-ja shpall konkurs për kryeprokuror të shtetit, mospajtime brenda anëtarëve

18 maj 2026 | 11:33

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shpallur konkursin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

Shpallja e konkursit është bërë me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim dhe do të jetë i hapur për 15 ditë.

Paraprakisht, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi ka marrë fjalën, duke thënë se procesi për kryeprokuror të shtetit është bllokuar qëllimisht, tash e katër vjet.

Ai ka parashtruar pyetje se pse tash po zhvillohet kaq urgjent dhe se pse KPK-ja po bie nën ndikimin e pushteteve të tjera.

Krasniqi ka thënë se KPK-ja për këtë proces duhet të tregojë integritetit dhe të mos zhvillojë procese nën ndikim të dikujt.

Më tutje, ai ka thënë se para publikut do të parashtrojë disa pyetje se “kujt i ka penguar dekretimi i kryeprokurorit të shtetit dhe se a duhet me domosdo të kemi kryeprokurorin që e duan pushtetet tjera”.

Krasniqi ka thënë se nëse gjatë procesit të kaluar për kryeprokuror të shtetit ka pasur shkelje, atëherë sipas tij, ka pas mjete dhe institucione kompetente për t’i dhënë përgjigje pretendimeve për shkelje.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se në KPK ka mbërritur një letër nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu duke kërkuar që të shpallet konkursi, meqë rast ka thënë se një qasje e tillë është e papranueshme dhe se nënkuptohet si ndërhyrje në punën e KPK-së.

Krasniqi ka thënë se në rast se shpallet konkurs, do të krijohet precedent i keq.

“Do të krijohet një praktikë, precedent i keq që të mos dekretohet Kryeprokurori i Shtetit vetëm pse nuk po i pëlqen emri”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka thënë se nuk bëhet pjesë në diskutime që përfshihen aspekte të pushteteve të tjera, duke shtuar se kjo pozitë tash e një kohë është me ushtrues detyre.

Kurse, anëtari tjetër i KPK-së, Visar Krasniqi, ka thënë se është e pakuptimtë kërkesa që të mos shpallet konkursi, duke shtuar se mungesa e kryeprokurori të shtetit është pengesë dhe se ka qenë kërkesë edhe nga partnerët që të shpallet ky konkurs.

 

Paraprakisht është miratuar ndryshimi i rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit. /Betimipërdrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e 34-t e Albi Mall Superligës së Kosovës ka…