Malisheva siguron Evropën, Ferizaj dhe Prishtina e Re bien nga Superliga

18 maj 2026 | 11:21

Java e 34-t e Albi Mall Superligës së Kosovës ka sjellë zhvillime të rëndësishme si në garën për Evropë, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Malisheva ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në garat evropiane, ndërsa Prishtina e Re dhe Ferizaj përfundimisht kanë humbur shpresat për mbetje në elitë dhe edicionin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e Parë.

Malisheva ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës pas fitores bindëse 4:1 ndaj Drenicës në stadiumin “Liman Gegaj”. Pas pjesës së parë pa gola, Assane Diatta ka realizuar dy herë (55’, 81’), ndërsa Arlind Veliu dhe Xhemal Ibishi kanë shtuar nga një gol tjetër. Kreshnik Uka ka shënuar golin e vetëm për mysafirët në kohën shtesë. Malisheva tashmë ka siguruar pozitën e tretë në tabelë dhe do të përfaqësojë Kosovën në garat evropiane së bashku me Dritën dhe Ballkanin.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini ka shënuar fitore ndaj kampiones së këtij edicioni, Dritës, me rezultat 2:0. Skuadra klinase ka kaluar në epërsi me golin e Besir Isenit në minutën e 19-të, ndërsa Altin Merlaku ka realizuar golin e dytë në minutën e 41-të. Dukagjinit i është anuluar edhe një gol për pozitë jashtë loje në pjesën e parë. Me këtë fitore, Dukagjini mbetet në pozitën e pestë me 45 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë.

Në Suharekë, Ballkani ka fituar ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3:2, duke vulosur rënien e skuadrës kryeqytetase nga Superliga. Mysafirët kanë kaluar dy herë në epërsi me golat e Nedim Mekiqit, por Ballkani reagoi përmes Giovanni Ribeiros, Anel Shabanaxhoviqit dhe Almir Kryeziut, i cili ka realizuar golin e fitores në minutën e 87-të.

Një ndeshje dramatike është zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali, ku Prishtina dhe Ferizaj kanë barazuar 3:3. Ky rezultat ka bërë që Ferizaj përfundimisht të humbë shpresat për mbetje në elitë. Prishtina ka kaluar e para në epërsi me Albin Krasniqin, ndërsa Ferizaj ka reaguar përmes Ruben Silva-Richards nga penalltia. Sulmuesi i talentuar Rin Ahmeti ka realizuar dy gola për prishtinasit, përfshirë edhe atë të barazimit në minutat shtesë, duke ia mohuar Ferizajt fitoren. Për vendasit realizuan edhe Betim Haxhimusa dhe Ade Ogunsi.

Fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë ka arritur Llapi, që ka triumfuar në udhëtim ndaj Gjilanit me rezultat 2:1. Arianit Hasani ka realizuar dy gola për llapjanët, në minutën 8-të dhe 27-të, ndërsa për vendasit ka shënuar Armend Thaqi me një supergol nga goditja e dënimit në minutën e 15-të. Llapi mbetet në pozitën e tetë me 43 pikë, ndërsa Gjilani bie në vendin e gjashtë me 45 pikë dhe tani rrezikon të mbetet në barazh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri portugez Jose Mourinho është shumë pranë rikthimit te Real…