KPMM-ja jep detaje në lidhje ngjarjën tragjike në minierën e Artanës

03 qershor 2020 | 18:00

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), duke ngushëlluar familjen e inxhinierit të xehetarisë Haki Arifi dhe minatorit Idriz Gërbeshi, si dhe të gjithë minatorët e Artanës-  “Trepçës”, ka theksuar se me dhimbje të madhe kanë njoftuar opinionin publik lidhur me këtë fatkeqësi, e cila ka ndodhur të martën. KPMM-ja ka njoftuar se aksidenti me fatalitet në minierën e Artanës ka ndodhur të martën rreth orës 10:25.  “Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është njoftuar nga drejtori i njësisë biznesore të Minierave me flotacion Kishnicë-Artanë përmes telefonit në orën 10:34h. Kryeinspektori i Inspektoratit të Minierave të KPMM-së menjëherë ka njoftuar të gjitha organet e sigurisë së vendit dhe Departamentin e Emergjencave civile. Një ekip i inspektoratit të KPMM-së menjëherë është nisur për vendin e ngjarjes. Meqenëse, bordi i KPMM-së po atë ditë kishte për të mbrojtur raportin e punës për vitin 2019 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës në ora 11:00h, kryesuesi i bordit të KPMM-së njoftoi për këtë deputetet e këtij  Komision të Kuvendit të republikës së Kosovës”, ka njoftuar KPMM-ja. Sipas këtij njoftimi, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Endrit Shala, ka kërkuar nga deputetët të shtyhet për një afat tjetër raportimi i KPMM-së në Kuvend për shkak të kësaj situate të krijuar dhe ky propozim është mbështetur nga të gjithë deputetët e pranishëm të këtij komisioni.

“Menjëherë pas ndërprerjes së mbledhjes, Bordi i KPMM-së u nisë për në minierën e Artanës. Lidhur me aksidentin, ngjarja ka ndodhur si pasojë e shembjes së shkëmbinjve në korridorin kryesor  të nën katit 798-24 të horizontit të IV-të të minierës së Artanës, respektivisht në zonën ndërmjet korridorit nr. 9 dhe oxhakut të xehes nr. 2. Shembja ka ndodhur nga pjesa tavanore e shkëmbinjve gëlqeror të mërmëritur, të përzier me xehe. Në vendin e shembjes në atë moment janë ndodhur inxhinieri i xehetarisë Haki Arifi i lindur 1969 dhe minatori, xehetari i kualifikuar Idriz Gërbeshi i lindur 1967. Kurse, në afërsi të vendit të aksidentit, ishin edhe një numër i caktuar i minatorëve, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar nga aksidenti me fatalitet. Fatkeqësisht që të dy punëtorët janë goditur, e më pas mbuluar nga masat shkëmbore të shembura, me ç’rast  kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes”, është thënë në njoftim, duke shtuar falë institucioneve të sigurisë është arritur që të nxirren nga miniera Arifi e Gërbeshi”.

“Pas informatës, në miniere kanë arritur përfaqësues nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës, Kryeministri, Ministra dhe deputet të Kuvendit të Kosovës, si dhe Departamenti i Emergjencave civile të Kosovës, FSK-ja, Policia, Prokuroria, mjekësia ligjore. Qeta e shpëtimit e Artanës ka qenë në gjendje gatishmërie, në ndihmë kanë ardhur edhe qeta e shpëtimit e Stantërgut,  një njësi zjarrfikësish nga KEK-u, si dhe një njësi zjarrfikësish nga komuna e Artanës. Pas ekzaminimit të vendit të aksidentit, nga njësit e Fornezikës dhe Inspektoratit të Minierave, rreth orës 15:30h kanë hyrë në minierë qetat e shpëtimit të Artanës, Stan Tërgut dhe një ekipi e FSK-së. Këto ekipe nën kushtet te limituara të punës në minierë arritën që të zhbllokojnë  dhe nxjerrin trupat e viktimave të këtij aksidenti rrethe orës 00:30h  të datës 03.06.2020, pra pas mesnatës dhe i kanë dorëzuar tek ekipet e mjekësisë Ligjore te QKUK-së”, është thënë në këtë njoftim.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM-ja ka bërë me dije se ka ngritur një komision nga Inspektorati i Minierave, i cili në ditët në vijim e ka për detyrë të inspektojnë vendin e ngjarjes dhe të dalin me raport të detajuar për shkaqet e këtij aksidenti. “Si përfundim, të gjithë së bashku të lutemi që mos të ndodhin aksidente të tilla në të ardhmen”, ka njoftuar KPMM-ja.

(A. M / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e parë gjysmëfinale e DigitAlb Kupës së Kosovës në…