KQZ-ja padrejtësisht po akuzohet për zvarritje të procesit zgjedhor

21 nëntor 2019 | 15:06

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, i ka mohuar të gjitha kritikat për zvarritje të procesit zgjedhor të 6 tetorit. Ajo ka thënë se padrejtësisht po akuzohet ky institucion për këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Daka ka thënë se KQZ-ja për procesin e rinumërimit të votave vetëm po e zbaton vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Ajo që dua të them është se KQZ-ja padrejtësisht po akuzohet vetëm pse e kryen punën e vet. Dua t’ua rikujtoj të gjithë atyre që drejtojnë akuza ndaj KQZ-së, se vendimin për rinumërimin e këtyre vendvotimeve e ka marrë PZAP-i e ne vetëm jemi duke e zbatuar një vendim të një instance më të lartë”, ka thënë Daka.

Ajo ka treguar se KQZ-ja i ka shpallur rezultatet dhe më pas partitë politike janë ankuar dhe kanë kërkuar rinumërim të votave. “Pas kësaj ankese ka ardhur një vendim i PZAP-it në bazë të të cilit jemi të obliguar t’i rinumërojmë 1 407 kuti të votimit. Ne nuk jemi duke e zvarritur këtë proces. Ne jemi duke e kryer punën tonë. Pra, jemi duke bërë rinumërimin që është kërkuar. Vetë subjektet kanë kërkuar që të bëhet rinumërimi dhe tash kur PZAP-i e ka aprovuar një kërkesë të tillë, ne akuzohemi se po e zvarritim procesin zgjedhor. Këtë nuk po mund ta kuptoj”, ka deklaruar Daka.

Ajo i ka ftuar subjektet politike që menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja ta fillojnë reformën zgjedhore. Daka ka vlerësuar se vetëm një reformë e mirëfilltë zgjedhore do të mund t’i eliminonte të metat e këtij procesi. “Në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi një proces i cili nuk do të zgjatë kaq shumë, duhet të kemi një reformë zgjedhore në të cilën do të qartësohen afatet ligjore për ankesat, arsyet për të cilat mund të bëhen ankesat apo të rregullohet më ndryshe procedura e ankimimit. Po ashtu, në këtë reformë duhet të përfshihen edhe çështje të tjera që kanë dalë në pah gjatë këtij procesi zgjedhor”, është shprehur ajo, duke shtuar se KQZ-ja është e gatshme t’ua ofrojë subjekteve politike ekspertizën për këtë reformë.

“KQZ-ja ka ekspertizë për këtë çështje, sepse ky institucion është duke i organizuar zgjedhjet prej vitit 2008 pa ndihmën e askujt. Pra, kemi organizuar më se 30 palë zgjedhje të ndryshme. Zgjedhje parlamentare, zgjedhje lokale dhe zgjedhje për kryetar të komunave. Të gjitha këto kanë bërë që ne të kemi një ekspertizë dhe një përvojë të jashtëzakonshme. Mos harroni se për zgjedhjet e fundit jemi marrë model për mënyrën se si janë organizuar zgjedhjet e 6 tetorit”, ka deklaruar Daka.

“Epoka e re”: Znj. Daka, si po shkon procesi i rinumërimit të votave të kërkuara nga PZAP-i dhe kur pritet të përfundojë ky proces?
Daka: Deri më tani ky proces është duke shkuar shumë mirë. Pra, nuk kemi ndonjë vonesë apo problem. Aktualisht është dita e tetë e rinumërimit të 1 407 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve puna është duke shkuar normalisht në prani të vëzhguesve të të gjitha subjekteve politike.

“Epoka e re”: Zvarritja e procesit zgjedhor përmes rinumërimit ka nxitur kritika të shumta edhe ndaj KQZ-së. Si i keni parë këto kritika?
Daka: Ajo që dua të them është se KQZ-ja padrejtësisht po akuzohet vetëm pse e kryen punën e vet. Do t’ua rikujtoj të gjithë atyre që drejtojnë akuza ndaj KQZ-së, se vendimin për rinumërimin e këtyre vendvotimeve e ka marrë PZAP-ja dhe ne vetëm jemi duke e zbatuar një vendim të një instance më të lartë. Pra, i kemi pasur rezultatet e gatshme dhe i kemi shpallur ato. Ndërkaq subjektet politike pastaj kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’u ankuar. Pas kësaj ankese ka ardhur një vendim i PZAP-it në bazë të të cilit ne jemi obliguar t’i rinumërojmë 1 407 kuti të votimit. Ne nuk jemi duke e zvarritur këtë proces. Ne jemi duke e kryer punën tonë, rinumërimin e votave ashtu siç është kërkuar. Vetë subjektet kanë kërkuar që të bëhet rinumërimi dhe tash kur PZAP-i e ka aprovuar një kërkesë të tillë, ne akuzohemi se po e zvarritim procesin zgjedhor. Këtë nuk po mund ta kuptoj.

“Epoka e re”: Edhe më herët ka pasur kritika ndaj KQZ-së për shkak të gabimit teknik në formular. A e ka kryer KQZ-ja detyrën si duhet?
Daka: Natyrisht. KQZ-ja ka qenë në nivel të detyrës. Duhet të kujtoj se për shkak të atij gabimi teknik në formularët e rezultateve, me vendim të KQZ-së diku rreth 500 kuti janë rinumëruar, kurse të tjerat janë bërë për shkak të mospërputhjes matematikore në mes të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pra, nuk janë bërë me gabimin eë KQZ-së, por me gabimin e komisionarëve të cilët janë të subjekteve politike. Kështu që, ne i kemi korrektuar ato gabime të cilat i kanë bërë ata komisionarë të cilët, në fakt, janë militantë të partive politike.

“Epoka e re”: Procesi i rinumërimit, sa mund ta lëndojë kredibilitetin e gjithë procesit zgjedhor?
Daka: Nuk po mund t’i kuptoj partitë politike. Në njërën anë kanë kërkuar rinumërim e tash kur po bëhet rinumërimi po thonë se po lëndohet integriteti i zgjedhjeve. Këto subjekte politike kanë kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit. Tash po veprojmë ashtu siç ka kërkuar PZAP-i dhe ashtu siç kanë kërkuar subjektet politike.

“Epoka e re”: Nga përvoja e këtij procesi zgjedhor dhe atyre që janë organizuar deri më tani, cili është mesazh juaj për partitë politike se çka duhet të bëjnë për zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që këto gjëra të mos përsëriten?
Daka: Në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi një proces i cili nuk do të zgjatë kaq shumë, duhet të kemi një reformë zgjedhore në të cilën do të qartësohen afatet ligjore për ankesat, arsyet për të cilat mund të bëhen ankesat apo të rregullohet më ndryshe procedura e ankimimit. Po ashtu, në këtë reformë duhet të përfshihen edhe çështje të tjera që kanë dalë në pah gjatë këtij procesi zgjedhor, si votimi me postë dhe çështje të tjera të cilat ndërlidhen me votimin jashtë Kosovës. Pra, të gjitha këto duhet të jenë tema për reformën zgjedhore pasi të konstituohen institucionet e reja. Mesazhi im për subjektet politike është që sa më parë të bëhet reforma zgjedhore, të zgjidhen njëherë e përgjithmonë këto dilema dhe këto anomali që kanë dalë në pah gjatë këtij procesi zgjedhor.

“Epoka e re”: Çfarë ndihme mund t’u japë KQZ-ja subjekteve politike në këtë drejtim?
Daka: KQZ-ja ka ekspertizë për këtë çështje sepse ky institucion është duke i organizuar zgjedhjet prej vitit 2008, pa ndihmën e askujt. Pra, kemi organizuar më se 30 palë zgjedhje të ndryshme. Zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet për kryetarë të komunave. Të gjitha këto kanë bërë që ne të kemi një ekspertizë dhe një përvojë të jashtëzakonshme. Mos harroni se për zgjedhjet e fundit ne jemi marrë si model për mënyrën se si janë organizuar zgjedhjet e 6 tetorit. Të gjitha çështjet që kanë ndodhur pas ditës së zgjedhjeve padrejtësisht i vihen si barrë KQZ-së, duke harruar se ato çështje janë ngritur nga subjektet politike dhe pastaj janë bërë temë e ankesave. Natyrisht se proceset zgjaten kur kemi ankesa dhe çështje të cilat pastaj duhet të veprohet sipas atyre ankesave.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe mbështetur nga…