KQZ lehtëson procedurat e regjistrimit të votuesve mbi 80 vjeç për të votuar përmes ekipeve mobile
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që t’iu mundësojë votuesve mbi 80 vjeç që të regjistrohen përmes platformës elektronike për të votuar përmes ekipit mobil në ditën e zgjedhjeve nga vendbanimi apo adresa e tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky aktivitet është duke u zhvilluar në kuadër të regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta, që mundëson regjistrimin online të votuesve që për shkak të gjendjes fizike, shëndetësore apo rrethana tjera të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk mund të paraqiten në vendvotimin e tyre.
Kjo praktikë e KQZ-së ka filluar të mundësohet nga zgjedhjet e fundit parlamentare të dhjetorit të vitit 2025 dhe ka për qëllim të lehtësojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
“Deri në përfundim të periudhës për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, KQZ mundëson regjistrimin për votim përmes ekipeve mobile të votuesve mbi 80 vjeç pa pasur nevojë që të bashkangjesin certifikatën e paaftësisë fizike apo të diagnozës mjekësore. Para zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, edhe për votuesit mbi 80 vjeç janë kërkuar këto dokumente, por KQZ e ka vlerësuar se ky ndryshim mund të ketë ndikim pozitiv, lehtëson dhe rrit pjesëmarrjen e votuesve që e kanë të pamundur daljen në vendvotim, duke përfshirë edhe personat që nuk disponojnë dokumentacionin mjekësor specifik. Sipas vendimit të KQZ-së, për regjistrimin e votuesve mbi 80 vjeç nevojitet dokumenti i vlefshëm i identifikimit dhe fotografia e votuesit, njëkohësisht duke prezantuar dokumentin identifikues”, tha Elezi për Ekonomia Online.
Sipas Elezit, nga 1,959,962 votues brenda vendit, në listën e votuesve janë rreth 54 mijë të moshës mbi 80 vjeç.
Po ashtu, KQZ ka njoftuar se nga 22 maji është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotimin e tyre në ditën e zgjedhjeve.
Për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, që do të regjistrohen, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, 7 qershor 2026, të cilët do të shkojnë në adresat e caktuara të votuesve të regjistruar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur periudhën e regjistrimit dhe evidentimit të votuesve me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit. Ky proces u mundëson qytetarëve që, për shkak të gjendjes fizike, shëndetësore apo rrethanave të tjera të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk mund të paraqiten në vendvotim, ta ushtrojnë të drejtën e votës përmes ekipeve mobile të KQZ-së. Votimi i personave me nevoja të veçanta mundësohet jashtë vendvotimit. Në ditën e zgjedhjeve, qindra ekipe mobile të angazhuara nga KQZ do të vizitojnë këta votues në adresat ose institucionet përkatëse për t’ua mundësuar votimin”, tha Elezi.



