Krasniqi: Dënimi i Salih Mustafës nxitë indinjatë te secili shqiptar

16 dhjetor 2022 | 13:55

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se dënimi me 26 vjet burgim për Salih Mustafës, ka nxitur indinjatë tek secili shqiptar.

“Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj.

Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.

Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë.

Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besim Gjyrevci shpall të pavlefshme diplomën e Shkollës së Mesme…