Krasniqi flet për vizitat që zhvilloi në kuadër të Javës së Pavarësisë

18 shkurt 2023 | 20:19

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se për të shënuar Javën e Pavarësisë, ditëve të fundit ka takuar e vizituar shumë personalitete, mbi supet e të cilëve ka qëndruar përpjekja e vazhdueshme për liri dhe shtet të pavarur e sovran.

“Pas nderimit të qëndrimit të pathyeshëm të Adem Demaçit, pata një seri takimesh me ish të burgosurit politik dhe të persekutuarit politikisht nga Jugosllavia, për të vazhduar me ish luftëtarë të lirisë, bashkërrugëtarë të Adem Jasharit, mjekë që shëruan plagët e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës, familjet e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me kolegët deputetë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, me të cilët, evokuam kujtime nga rruga e gjatë e sakrificës për ta bërë Kosovën të lirë, të pavarur e sovrane”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Sipas tij, ajo çfarë ishte jashtëzakonisht motivuese e njëkohësisht edhe ndërgjegjësuese për të gjatë kësaj jave, ishte takimi me nxënësit filloristë në Velezhë të Prizrenit, prej të cilëve kuptova se pritjet e tyre për një atdhe që i mirëpret të rriten e të realizojnë ëndrrat, janë ato që me të vërtetë kanë rëndësi.

“Ngjashëm, si edhe takimi me studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku njeriu kupton se të rinjtë e Kosovës kanë potencial e vullnet për t’u edukuar, edhe si qytetarë, edhe si profesionistë”.

“Ndonëse dje shënuam Ditën e Pavarësisë me ceremoni solemne e me ftesë për reflektim e unitet në të cilin besojmë, përballë këtyre kërkesave të drejta e të duhura të të rinjve e të rejave të Kosovës, duhet diçka shumë më shumë sesa reflektimi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se shteti ynë nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre.

“Fatkeqësisht, nën qeverisjen e Albin Kurtit, jo vetëm që po shohim abstenim për adresimin e këtyre nevoja, por nuk po shohim as përpjekje. Krejt përkundrazi. Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti. Kosova, nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”, ka theksuar Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa inflacioni ju bie si barrë e papërballueshme familjeve kosovare, ndërsa qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë.

“Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon. Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën”.

“E kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e duan për atdheun e tyre dhe as e ardhmja për të cilën ata kanë sakrifikuar. E ardhmja e Kosovës duhet të jetë një tregim krejtësisht ndryshe. Jetësimin e asaj të ardhmeje duhet ta nisim tani dhe pa vonesë, së bashku, me dashuri e përkushtim për Kosovën e fëmijëve tanë”, ka theksuar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas raportimeve se…