Krasniqi: Kjo KQZ do t’i rrënojë zgjedhjet e lira dhe demokracinë

29 mars 2019 | 10:52

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka shkruar një shkrim në llogarinë e vet në “Facebook” me titull “Kjo KQZ do t’i rrënojë zgjedhjet e lira dhe demokracinë.

Krasniqi në këtë shkrim ka theksuar se me ketë konstituim të KQZ-së, në rend të parë, është shkelur rend neni 139 paragrafi katër i Kushtetutës për ndërtimin e një institucionit të pavarur i cili e ka përgjegjësinë për të mbikëqyrur mirëvajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike. “Ndërsa kështu siç është konstituuar, nuk mund të konsiderohet si institucion për mirëvajtje, por institucion për tallavajtje”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se Kushtetuta e thotë qartë, se KQZ-ja përbehet nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit. “Pasi vetëm kjo përbërje që e ka nënvizuar Kushtetuta, garanton zgjedhje të lira, të drejta e demokratike, gjë që nuk e garanton përbërja si po tentohet të konstituohet KQZ-ja”, ka thënë ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Veç kësaj, ai ka pohuar se kjo mënyrë e konstituimit është kapje e KQZ-së nga partizanët e zëshëm të kapjes e të shkapjes së institucioneve të shtetit. “Për partizanët e shkapjes që brenda natës u bënë kapës të një institucioni të pavarur, kush mund të na garantoj që nesër nuk do të dakordohen këta partizanë të vegjël për kapjet e tjera, si p.sh edhe të krimit e të korrupsionit?! Praktika jetësore na tregon: Kushdo që ka vjedhur a ka grabitur pak, sa herë ju ka dhënë mundësia, kanë vjedhur e grabitur edhe shumë. Ata që e kapen KQZ-në, vështirë është për t’ju besuar se nëse vijnë në pushtet, nuk do t’i kapin edhe institucionet tjera dhe do të bëhen pronar të kapjeve të tjera. Përndryshe, pse të bëheshin kapës të KQZ-së se bashku me atë që e kanë akuzuar bash për çdo gjë?”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se me ketë logjikë veprimi, degradimi i demokracisë por edhe i shtetndërtimit do të vazhdojë të thellohet. “Të përfundoj: Kërkoj nga të gjithë ata që e udhëzuan, që e kërkuan dhe e realizuan ketë kapje të KQZ-së, e cila kapje do t’i dëmtoj rënd zgjedhjet e lira e demokratike dhe vet demokracinë, mos të na dërdëllisin më, për mungesë demokracie a mungesë vullneti për të luftuar krimin e korrupsion si dhe mos sundim të ligjit në Kosovë?! Ata duhet që ta dinë se këtyre shëmtive të përmendura dhe shumë të tjera të pa përmendura ua trasuan të gjitha rrugët ekzistuese, duke hapur edhe të reja! Me ketë logjikë veprimi, degradimi i demokracisë, por edhe i shtetndërtimit do të vazhdojë e thellohet! Qofsha i gabuar!”, ka thënë Krasniqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha institucionet shtetërore të…