Krasniqi: Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për bashkim te të majtëve socialdemokrat

03 shkurt 22:13

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka bërë thirrje për bashkim te të majtëve socialdemokrat, siç ka thënë ai “është koha e fundit që të bashkohen, për të sjellë një frymë të re në politikën tonë, për të cilën kanë nevojë edhe shteti edhe qytetarët”.

Postimi i Krasniqit në profilin e vet në “Facebook”:

APEL TE GJITHË SOCIALDEMOKRATËVE TË LËVIZJES KOMBËTARE PËR ÇLIRIM

Zhvillimet politike të viteve të fundit në Kosovë e për Kosovën, janë treguesi e dëshmia më e mirë se Kosova dhe qytetarët e saj pa dallim kanë nevojë për një bashkim te të majtëve socialdemokrat, të cilët pa asnjë dyshim janë më meritoret për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, nuk ka asnjë dyshim, se individë kryeneç e të pa asnjë parim socialdemokrat, të pa asnjë ideologji, veç “ideologjisë” grabitëse, forcat patriotike të se majtës socialdemokrate, të dëshmuara para, gjatë e pas luftës çlirimtare, i kanë bërë pikë e pesë për interesa krejt meskine.

Këto forca progresive atdhetare, është koha e fundit që të bashkohen, për të sjellë një frymë të re në politikën tonë, për të cilën kanë nevojë edhe shteti edhe qytetarët. Nëse këto forca nuk e gjejnë mënyrën e bashkimit, shpejtë do ta gjejnë rrënimin dhe ndëshkimin nga qytetarët. Këto forca që tani për tani janë të shkapërderdhura në katër a më shumë parti politike të mëdha e të vogla, fat tjetër edhe nuk meritojnë.

Është më shumë sesa e kuptueshme, se këta që e kanë prodhuar ketë gjendje në Kosovë dhe në socialdemokracinë tonë, që i kanë stagnuar njohjet e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar, që kanë penguar liberalizimin e vizave, zhvillimin e vendit edhe përmes një procesi të kriminalizuar të privatizimit, që kanë degraduar arsimin e shëndetësinë, që kanë degraduar edhe ambientin jetësor, do të jenë edhe pengesë e bashkimit të forcave progresive e socialdemokrate. Kosovës dhe qytetarëve të saj ju duhet një socialdemokraci e bashkuar!

Përndryshe të gjithë socialdemokratët do të mbesin paterica te grabitësve të se “djathtës”.

Përndryshe, janë momentet e fundit për bashkimin e luftëtarëve të drejtësisë sociale!

NISMA Socialdemokrate është derë e hapur për gjithë ata qe synojnë drejtësinë sociale!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e dytë të rregullt të legjislacionit të VI-të…