Krasniqi: Kosova ka më pak viktima të trafikut se vendet e rajonit

10 korrik 2018 | 21:55

Burim Krasniqi, drejtor i Departamentit të Patent Shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se nuk kanë ndonjë ankesë se dikush po e keqpërdor pozitën për të dhënë leje për patent shofer.

“Nuk ka asnjë ankesë të ndonjë qytetari, që thotë se dikush nga auto-shkollat i ka kërkuar mito për të marrë patent shoferin”, ka thënë ai në “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”.

Krasniqi ka folur edhe për aksidentin e fundit në afërsi të Suharekës, që shkaktoi pesë viktima.

Ai ka thënë se vetura ka dalë në shiritin e autobusit dhe është përplasur më këtë të fundit, duke shkaktuar edhe bilancin tragjik.

Sa u përket statistikave, Krasniqi ka thënë se Kosova ka bilanc më të ulët të vdekjeve në trafik krahasuar me vendet e rajonit.

“Kosova në raport me vendet e rajonit, ka më pak viktima nga aksidentet e trafikut”, ka thënë ai.

Pjesa më e madhe e aksidenteve sipas drejtorit të Departamentit të Patentë Shoferëve, po vijnë për shkak të dasmave dhe alkoolit.

“Është sezoni i dasmave që po krijon probleme dhe sezoni i konsumimit të alkoolit”, ka shtuar ai.

Sipas Krasniqit, aksidentet nga personat që nuk posedojnë patent shofer janë shumë të pakta.

“Është një numër shumë i vogël e personave që shkaktojnë aksidente që nuk kanë patentë shofer, shumica e aksidenteve shkaktohet nga personat që posedojnë patentë shofer”, deklaroi Krasniqi.

Ai ka thënë se aksidentet po u ndodhin personave mbi moshën 19 vjeçare.

“Numri më i madh i të vdekurve në trafik është mbi moshën 19 vjeçare”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se gjatë samitit…