Krasniqi: Kosova s’ka politikë të jashtme, ministrja Gërvalla është jokompetente
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku është duke u debatuar për politikën e jashtme, ka thënë se Kosova ka abstenuar në këtë drejtim dhe se nuk ka politikë të jashtme.
Në këtë kontekst, Krasniqi e ka quajtur kryediplomaten Donika Gërvalla si të papërvojë që ka prodhuar skandale humoristike dhe është bërë simbol i memeve dhe satirës.
“Kushdo që e sheh drejt e kupton se sot po zhvillohet një momentum i ri gjeopolitik ku politika e jashtme e shteteve po merr rëndësi njëjtë si politika e brendshme. Kosova s’ka politikë të jashtme dhe ka abstenuar në këtë drejtim. Që nga rrafshi i përfaqësimit diplomatik e deri te reduktimi i politikës së jashtme në turizëm diplomatik pa relevancë. Shkarkimi i paanalizuar i ambasadorëve të Kosovës në qendrat botërore ka prodhuar jo vetëm vakum të pranisë së Kosovës në këto qendra por ka shkundur besimin e shteteve në Kosovën”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se Gërvalla ka prodhuar skandale humoristike që po përdoren nga Serbia në arenën ndërkombëtare.
“Debatin për politikën e jashtme nuk e kemi ftuar vetëm për skandalet e ministres Gërvalla por për pezullimin që qeveria i ka bërë politikës së jashtme. Ministrja Gërvalla është jokompetente edhe pa përvojë që ka prodhuar skandale humoristike, fatkeqësisht këto memes janë më të popullarizuara se serialet vendore të cilat po përdoren nga Serbia, madje kjo satirë është bërë sindromë i qeverisë Kurti”, ka thënë Gërvalla.



