Krasniqi: Kurti do të tërhiqet, vetëm sa e ka shtruar rrugën për autonomi politike për serbët në veri

02 qershor 2023 | 11:05

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të tërhiqet nga qëndrimet e tij për situatën në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.

Për me tepër, Krasniqi ka thënë se Kurti ka shtruar rrugën për autonomi politike për serbët në pjesën veriore të vendit.

“Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja. Ai çdo veprim e ka të tillë. E krijon krizën, pastaj tërhiqet dhe na e lë problemin dhe na e degradon situatën për nja pesë hapa prapa. Kjo është shtrim për autonomi politike për serbët. Nuk ka të bëjë më me asociacionin”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se veprimet që kanë filluar nga java e kaluar, e që kanë qenë të pakoordinuara e kanë krijuar këtë situatë të krizës.

“Kjo s’është kriza e parë. Ne po jetojmë nga kriza në krizë. Albin Kurtin kryeministër ne në raport me partnerët kryesorë të Kosovës ne kemi vetëm telashe. Vetë kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pasur një perspektivë euroatlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë. Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili insiston me hy në tri zyre të caktuara”, ka thënë Krasniqi, duke e quajtur manipulim të madh lojën me zyrat komunale në veri.

“E ftoj kryeministrin të na tregoj pse nuk po e çon Kryetarin e Mitrovicës së Veriut në zyrat komunale. Ai është njëjtë në zyrat dytësore, siç është edhe Kryetari i Zveçanit dhe Zubin Potokut. E kanë ngujuar atje një Kryetar të Leposaviqit, çfarë pune është duke bërë ai. Është konfrontuar me tërë botën, e ka shkaktuar një krizë, e ka rreziku sigurinë, e ka sjellë një kundërreagim kriminal nga ana e Serbisë, me banda të cilat janë duke mbajtur peng të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet. Dhe, cila është përgjigja e tij? Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja. Ai çdo veprim e ka të tillë. E krijon krizën, pastaj tërhiqet dhe na e lë problemin dhe na e degradon situatën për nja pesë hapa prapa. Kjo është shtrim për autonomi politike për serbët. Nuk ka të bëjë më me asociacionin”, ka thënë Krasniqi. /EO

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia ka bërë të ditur se një grua në rrethana…