Krasniqi: Me kriminelë si Daçiqi nuk ka paqe në Ballkan

09 korrik 2019 | 11:44

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se me kriminelë si Daçiqi nuk ka paqe në Ballkan.

Ai ka thënë se amnistia e tolerimi i këtyre njerëzve do të thotë mungesë të paqes, të lirisë, të perspektivës e të mirëkuptimit në Ballkan.

Megjithatë sipas Krasniqit, Ballkani e ballkanasit kanë perspektivë, por jo me këta kriminelë në liri.

“Këta kriminelë nuk njohin gjuhë e komunikim njerëzor! Prandaj, shpërbërja e ish Federatës Jugosllave është bërë me gjakderdhje të shumta. Amnistia e tolerimi i këtyre njerëzve do të thotë: Mungesë të paqes, të lirisë, të perspektivës e të mirëkuptimit në Ballkan! Ballkani e ballkanasit kanë perspektivë, por jo me këta kriminel në liri”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Me kriminelë si Daçiqi, nuk ka paqe në Ballkan

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq paska thënë se “Kosova është një pikë qendrore e paqëndrueshmërisë në të gjithë Ballkanin”, përcjell “Gazeta Blic”.

Kushdo tjetër në Evropën Juglindore po ta thoshte ketë që po e thotë Daçiq, me të drejtë njeriu do të pyeste: Njeriu që i ka shqiptuar këto fjalë a është normal? Po kush nuk e dinë se ku është “qendra e paqëndrueshmërisë në Ballkan”? Por, pasi kjo thuhet nga bashkëpunëtori e bashkëpartiaku i kriminelit më të madh të pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, Ivica Daçiq, për çmendurinë e tij nuk besoj që dyshon ndonjë njeri normal që ecën vertikalisht në ketë pjesë të Evropës.

Kjo është edhe një dëshmi tjetër se çdo masë që e kanë marrë e do ta marrin sot e nesër nga udhëheqësit e Kosovës ndaj Serbisë, e cila vazhdon të udhëhiqet nga këta kriminelë të dëshmuar si në kohë e po ashtu edhe në hapësirë, do të jenë jo vetëm të drejta por edhe të domosdoshme.

Me ketë sortë të njerëzve, para tyre, çdo varje e qafës, është dështim dhe nënshtrim!

Këta kriminel nuk njohin gjuhë e komunikim njerëzor! Prandaj, shpërbërja e ish Federatës Jugosllave është bërë me gjakderdhje të shumta.

Amnistia e tolerimi i këtyre njerëzve do të thotë: Mungesë të paqes, të lirisë, të perspektivës e të mirëkuptimit në Ballkan!

Ballkani e ballkanasit kanë perspektivë, por jo me këta kriminel në liri!

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City e ka huazuar reprezentuesin e Kosovës, Arijanet Muriqi…