
Krasniqi për intervistën e Thaçit: Ai foli si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka komentuar intervistën e Hashim Thaçit nga Haga, për Rubikon, në Klan Kosova, për çka tha se Thaçi foli si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri.
E plotë:
Sonte, Presidenti Hashim Thaçi na foli nga Haga.
Jo si ish-President. As si një burrë që ka kaluar gati pesë vite në qeli. Por si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri.
I mprehtë. I kthjellët. Plot interes për vendin dhe të ardhmen e tij, si gjithmonë. Reflektues. I thellë. Por mbi të gjitha, i paepur në bindjen e tij për drejtësinë e kauzës që e kemi ndjekur si popull.
Ai nuk ankua. Nuk kërkoi mëshirë. Siç e tha, dhe siç e dijmë, Hashim Thaçi nuk do t’ia ndërronte rrugën jetës, edhe sikur ta dinte çmimin paraprakisht. E këtë nuk e thotë për vete, por për ne, për gjeneratat që duhet të ecin përpara pa harruar sakrificën.
Sa ishte në Hagë i vdiq babai. Nuk ishte aty për t’ia mbyllur sytë. Por sytë e Presidentit Thaçi janë ende të hapur për Kosovën. Dhe për drejtësinë – që bashkë me çlirimtarët e tjerë po e pret me durim e urtësi.
Kjo intervistë, më shumë se rrëfim, ishte një thirrje: të qëndrojmë, të ecim drejt, e të mos dorëzohemi asnjëherë.
Të gjithë kemi çfarë të mësojmë nga Hashim Thaçi. Sonte, edhe më shumë.
Të presim me padurim në Kosovë, President!