Krasniqi: Plani i Kurtit është Basha si ministër, që Albulena Haxhiu të përfundojë si u.d. e presidentes
Propozimi i Dimal Bashës për ministër të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 3, po vërteton planin e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të mbetet në krye të Kuvendit, e më pas edhe në karrigen e Presidentes.
Kështu pohon Albert Krasniqi nga organizata Demokracia Plus. Në një lidhje telefonike në emisionin Kiks Kosova, anëtari i shoqërisë civile tha se ky skenar mund të jetësohet edhe pas dështimit të votimit të Qeverisë Kurti 3.
Sipas tij, plani mund të realizohet në qoftë se vendi nuk shkon në zgjedhje dhe kryetari aktual i Kuvendit, Dimal Basha, jep dorëheqje nga kjo pozitë.
Në një situatë të tillë, Krasniqi thotë se në vend të tij vjen Haxhiu e cila është nënkryetarja e parë e Parlamentit dhe anëtarja e kryesisë së legjislativit.
“Akoma nuk e dimë nëse një skenar i tillë do të mund të jetësohet, për shkak se në qoftë se veç dështon zgjedhja e qeverisë edhe në herën e dytë, atëherë, vendi shkon në zgjedhje dhe rrjedhimisht zoti Basha as nuk do të mund të emërohet si ministër, por që i njëjti mund të jap dorëheqje dhe të lejojë që zonja Albulena Haxhiu, si nënkryetarja e parë e Kuvendit dhe anëtarja e kryesisë që vjen nga e njëjta parti e zotit Basha, të marrë ushtrimin e detyrës së kryetarit të Kuvendit dhe pastaj edhe të ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit për gjashtë muaj, nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedh një president.
Por, akoma ka shumë paqartësi në rrugën drejt konstituimit të institucioneve dhe shkuarjes në zgjedhjet e parakohshme, nëse kjo do të ndodhë, për shkak se ka një lëndë ende në Gjykatën Kushtetuese dhe i gjithë procesi mund të kthehet në pikën zero, në qoftë se gjykata konstaton se Kuvendi akoma nuk është konstituar dhe duhet që vetëm Lista Serbe të propozojë anëtarin e kryesisë së Kuvendit. Por, nëse gjithçka do të jetë në rregull dhe do t’i kalojë filtrat Gjykatës Kushtetuese, kjo ka qenë një mundësi e vetme për Lëvizjen Vetëvendosje që të jetësojë planin e saj ose insistimin që e pati për një periudhë aq të gjatë që zonja Haxhiu të mund të vijë në pozitën e kryetares së Kuvendit, ndonëse jo ndërmjet asaj rrugës kushtetuese dhe miratimit të shumicës së deputetëve”-, deklaroi ai.
E derisa Rregullorja e Kuvendit nuk e ka paraparë se sa gjatë mund të rrijë Kuvendi me ushtrues detyre në rastin kur dorëhiqet kryetari, Haxhiut do t’i bie për hise edhe karriga e presidentes të paktën për gjashtë muaj, në qoftë se i pari i vendit nuk zgjidhet në pranverë.
“Në këtë rast kur kryetari, ta zëmë zoti Basha, jep dorëheqje, nuk ka një afat se sa mund të shkohet me nënkryetar të Kuvendit e cila do ta ushtrojë pozitën e kryetarit të Kuvendit, përderisa ka një afat për ushtruesin e detyrës së presidentit të vendit, për shkak se është një afat kushtetues prej gjashtë mujave dhe jo më shumë, ka të drejtë kryetari i Kuvendit që të bëjë një ushtrim të tillë të kompetencave, përderisa nënkryetarja e Kuvendit i ka të gjitha të drejtat si të kryetarit të Kuvendit për ta zëvendësuar atë, rrjedhimisht e merr edhe obligimin që të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, përderisa Kuvendi nuk ka një kryetar të zgjedhur të Kuvendit.
Kjo bëhet për të mos krijuar një vakum institucional, për shkak se nuk ka qartësi në Kushtetutën e Kosovës se çfarë ndodhë në qoftë se Kuvendi është pa një kryetar të zgjedhur. Do të thotë nëse do të ndodhte zgjedhja në mes të konstituimit të dy legjislaturave, kush do ta merrte kryesimin ose ushtrimin e detyrave të presidentit të vendit dhe përderisa kryetari i ka këto autorizime, në mënyrë automatike i merr edhe ato të presidentit të vendit” –, shtoi ai.



