Krasniqi, qeverisë: 100 eurot që ua dhatë qytetarëve ua morët pas dy ditësh me fatura të rrymës

18 janar 2024 | 12:49

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike do të japë përgjegjësi.

“Jam i bindur se ky është krim i organizuar, jam i bindur se shumica prej jush nuk jeni në dijeni. Kjo është skemë kriminale në krye me Martin Berishajn, e kjo nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit. Kjo do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova mbetet…