Rizvanolli: Kosova mbetet me çmimin më të lirë të rrymës në rajon e në Evropë

18 janar 2024 | 12:44

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirë në rajon e Evropë.

Gjatë debatit parlamentar në Kuvend për kërkesën e partive opozitare, të cilat kërkojnë zbritjen e çmimit të energjisë dhe largimin e bllok tarifave, Rzivanolli ka thënë se dobësitë e sistemit të energjisë sot në Kosovë, kanë ardhur si shkak i keq qeverisjeve të kaluara.

“Me subvencionimin më të ulët në rajon dhe përkundër rritjes së tarifave, Kosova mbeti shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon e Evropë. Kriza na shpërfaqi të gjitha dobësitë e sistemit tonë energjetik, të cilat ishin shumë të mëdha, e që nuk do të ishin kaq të mëdha po të mos ishin politikat e juaja të gabuara. Dështimet e dekadave të fundit që kishin sjellë rritje abnormale të konsumit të energjisë elektrike në baza vjetore, duke e hequr bllok tarifën me ndërhyrje të pastër politike, e duke mos investuar në efiçiencë të energjisë. Nga ana tjetër duke dështuar shumë herë radhazi në planifikimin e duhur në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese”, ka thënë Rizvanolli para deputetëve.

Më tutje, Rizvanolli ka thënë se çmimi i energjisë ka qenë më i lartë për ata që s’i kanë instaluar pajisjet në fillim të dimrit.

“Ulje të konsumit kanë pasur përfituesit e kaldave me biomasë me 34 për qind ulje të energjisë dhe të kondicionerëve inverterë me 23 për qind të uljes së kursimit të energjisë elektrike. Kursimi real si rrjedhojë i ndërrimit të pajisjeve, me gjasë është edhe më i lartë, duke qenë se jo të gjithë i kanë instaluar pajisjet në fillim të dimrit, prandaj efekti i matur s’është i plotë”, ka thënë Rizvanolli.

Po ashtu, Rizvanolli ka përmendur disa mënyra se si qeveria aktuale i ka ndihmuar qytetarët dhe bizneset përmes subvencionimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas…