
Krasniqi: Situata me Covid po rëndohet, do t’i dërgojmë qeverisë shkresë për zgjerim të kapaciteteve
Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me Covid-19 është duke u rënduar dhe se ka numër të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim.
“Situata me Covid-19 është duke u rënduar nga dita në ditë. Ne po shohim përditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Sot kemi 780 pacientë të shtrirë në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat COVID të QKUK-së”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, Krasniqi ka treguar se do t’i dërgojnë një shkresë Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve.
“Ne si ShSKUK i kemi bërë tash e një kohë të gjatë të ditura kapacitetet tona spitalore. Dje është vendosur që do të dërgojmë një shkresë qeverisë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”, ka theksuar ai për “Indeksonline”.