
Krasniqi takon udhëheqësen e NDI-së: PDK-ja angazhohet për forcimin e demokracisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim drejtoreshën rezidente të Institutit Demokratik Nacional (NDI) në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg.
Në këtë takim me udhëheqësen e NDI-së, Krasniqi e ka falënderuar atë për përkrahjen që i kanë dhënë PDK-së tash e 20 vjet dhe për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.
Në këtë kontekst, Krasniqi ka shprehur gatishmërinë që PDK-ja si lidere e opozitës të angazhohet për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë në vend dhe për përfaqësimin e denjë të kërkesave dhe nevojave të reja të qytetarëve.
“Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) tash e sa vjet ka dhënë përkrahje të vazhdueshme për demokracinë në Kosovë, e në veçanti në ngritjen e kapaciteteve të partive politike. Në këtë angazhim, Partia Demokratike e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me NDI, tash e 20 vjet. Në takimin e sotëm, drejtoreshën rezidente të NDI në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, e falënderova për mbështetjen dhe theksova gatishmërinë tonë që si liderë të opozitës të angazhohemi për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë në vend dhe për përfaqësimin e denjë të kërkesave dhe nevojave të reja të qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.