Krasniqi thotë se udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati më 1 shtator

02 gusht 2023 | 15:10

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tashmë ka filluar procedurat për largimin e katër kryetarëve në komunat në veri.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë detaje në lidhje me procedurat për largimin e katër kryetarëve në këto komuna.

Ai ka sqaruar se Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë deri më 1 shtator të këtij viti, duke pohuar se kjo do të vlejë për gjithë vendin e jo vetëm për veriun.

Ai ka sqaruar se ndonëse kishin nisur ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kjo nuk është mundësuar për shkak se duheshin 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve.

Krasniqi nga Lipjani, ka thënë se dorëheqja e kryetarëve në veri nuk mund të kërkohet, por se duhet të vendoset me mekanizma ligjore, siç është në këtë rast peticioni. “Grupi ka afat një muaj që ta bëjë draftin dhe mandej të jetë nga 1 shatori udhëzimi. Mirëpo çka është e rëndësishme është se ky udhëzim që buron nga ligji dhe nuk vlen vetëm në veri. Mund të shfrytëzohet nga të gjitha komunat. Unë jam shumë i bindur që do të jetë profesional. Kryetarët në veri kanë fituar mandat. Dorëheqja nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër përveç se me peticion nga qytetarët”, ka thënë ai.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka formuar grupin punues për hartimin e udhëzimit administrativ i cili do të mundësonte largimin e kryetarëve të komunave në veri përmes peticionit të qytetarëve.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompjuteri me emrin “Apple 1”, i cili u prodhua në…