
Krasniqi: Ushtria e Kosovës nuk do të ishte e tillë pa vendosmërinë e Thaçit dhe Veselit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me rastin trevjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ka thënë se kjo ushtri është krenaria e përhershme e shtetit.
Ai ka thënë se ushtria nuk do të ishte e tillë pa vendosmërinë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
“Tri vite më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi legjislacionin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës Pas shpalljes së pavarësisë, ky proces ishte momenti më i rëndësishëm në forcimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ushtria jonë, që çdo ditë po e dëshmon veten me nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve të NATO-s, nuk do të ishte e tillë pa insistimin dhe vendosmërinë për formimin e saj edhe të dy liderëve tanë historikë Kadri Veselit, atëherë kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-presidentit Hashim Thaçi. Ushtria e Kosovës është krenaria jonë e përhershme!”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.