Kreshnik Uka, “Ylli i javës” në Superligë
Futbollisti i Drenicës Kreshnik Uka, është shpallur “Ylli i javës” në Superligë.
Uka ishte golashënuesi i vetëm kundër Llapit duke ia siguruar fitoren skuadrës së tij dhe njëkohësisht tre pikët në garën për mbijetesë.
Këtë vlerësim nga Federata e Futbollit, ai e merr për herën e dytë.
Pas pranimit të çmimit, futbollisti i Drenicës u shpreh i kënaqur për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e fitores:
“E kemi ditur sa e rëndësishme ishte kjo ndeshje, pasi kishim përballë një rival direkt si Llapi. Kjo fitore vlen shumë, pasi kemi barazuar pikët me Llapin dhe Ferizajn dhe tani jemi fuqishëm në garë për t’i shpëtuar rënies dhe barazhit. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Dua t’i falënderoj bashkëlojtarët për përkushtimin maksimal, si dhe stafin e trajnerit Bernabiq dhe kryesinë. Ka pasur disa zëra për borxhe ndaj lojtarëve, por ato nuk janë të vërteta. Në çdo ndeshje jap maksimumin dhe nuk mendoj për çmime individuale. Golat janë të rëndësishëm për ekipin. Besoj se në ndeshjet e mbetura do të vazhdoj të kontribuoj që Drenica të sigurojë mbijetesën dhe të mbetet në Superligë, aty ku e meriton.”, deklaroi Uka.



