“Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe, krushqit e Dardanit, janë nisë me marrë nuse…”

14 dhjetor 2022 | 23:42

Fjala e lirisë – kënga për lirinë, 14 dhjetor 1998

Shkruan: Bujar Dugolli

 

“Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe, krushqit e Dardanit, janë nisë me marrë nuse…”, janë vargjet e shkruara me mjeshtri nga Rexhep Selimi, të kënduara si thirrje për liri nga ata që sikur lexuan fatin e tyre, fatin e Kosovës, heronjtë e kombit, Mujë Krasniqi e Beqir Gashi…

“Te Likenet e Hasit’’, vendi ku rreshti i gjatë i luftëtarëve, i ngjanë vargut të krushqve të dasmave, bëhet vendi i sublimimit të atyre që shkrinë borën me ngjyrën e kuqe, për t’i prekur kreshtat e Kosovës, në Pashtrikun krenar.

Beqir Gashi e Mujë Krasniqi gjithë jetën ia kushtuan lavdisë së lirisë, u kënduan trimërive të luftëtarëve, ndoshta më mirë se kushdo tjetër. Ata e përjetuan historinë, e bartën përmes këngës ndër breza, ata u përjetësuan për liri, ata u përjetësuan në këngën, tash nga brezat e ri, trashëgimtarë të tyre.

Sot, në përvjetorin e rënies së Beqes, Mujës dhe 40 dëshmorëve të tjerë, kujtojmë me dhimbje e krenari ata që gjithë jetën dhanë shembullin për atdhedashuri.

“Na jemi ti!

Diqysh vrant u pat ba dita, qielli u nxi…”

Kaq vite pas, nuk mund të mos këndohen, në vargje të reja, trimat e vjetër, nga autori i njëjtë, luftëtari i lirisë, Rexhep Selimi, që padrejtësisht mbahet në Hagë, i cili përmes këngës, vargjeve e pikturave, komunikon me shokët e përjetësuar për liri, dhe me lirinë për të cilën ai dhe bashkëluftëtarët e tjerë sakrifikuan.

Historia jonë ka edhe këtë ngjarje, ata që kënduan për liri, u bënë vetë ata që do të këndohen ndër breza, si dëshmorë e heronj, ata që luftuan e shkruan vargje për liri, shkruan vargje edhe nga burgu, për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se e përbashkëta e tyre, por edhe e gjithë neve është rruga e lirisë, rruga e dëshmorëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët tanë!

Lavdi dëshmorëve të kombit!

B.D.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri dhe kryedemokrati Sali Berisha thotë se Gjykata Speciale e…