Kreu i SBASHK-ut alarmon: Pa parlament e qeveri, rrezikohen pagat e punëtorëve
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për “Front Online” ka shprehur shqetësim të thellë për situatën institucionale pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ai paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje deri më 1 janar mund të sjellë pasoja të rënda, përfshirë rrezikun që punëtorët të mbeten pa paga.
“Situata e krijuar është shume e keqe sepse nga sot nuk kemi as parlament, nuk kemi as Qeveri dhe ka frikë të arsyeshme dhe s’ka si të votohet buxheti sepse Kuvendi u shpërnda. Kemi situate të keqe se çka do të ndodh nga 1 janari nëse nuk gjendet ndonjë zgjedhje, sepse të mbesin njerëzit pa paga është gjëja me e keqe”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka bërë të ditur se shumë punëtorë tashmë janë të ngarkuar me kredi dhe përballen me rritje të kamatave.
Ai shtoi se në mungesë të institucioneve, sindikata nuk ka me kë të dialogojë dhe as mundësi të organizojë forma proteste.
“Punëtorët edhe janë në kredi dhe kanë dy goditje edhe me rritje të kamatave edhe s’kanë paga. Nëse në fund të janarit nuk do të ketë paga ne do të konsultohemi me anëtarësinë tone edhe pse fatkeqësisht, nuk ka as dialog se s’kemi me kë ta bëjmë e s’mund të bëjmë as protesta e greva se s’kemi para kujt të bëjmë. Nuk mund të bëjmë as bojkot se s’kemi para kujt të bëjmë”, ka deklaruar Jasharaj.



