Alfabeti i Manastirit, dita që na bëri Komb me vetëdije dhe identitet kombëtar

23 nëntor 2025 | 11:06

Shkruan: Hisen Berisha

Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.
Po e përkujtojmë në heshtje institucionale në çdo trevë ku do duhej të flitet zëshëm sot, me alfabetin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, i cili mbetet një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë kulturore, arsimore dhe kombëtare.
Ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një datë kalendarike apo një kujtesë ceremoniale, por themel i identitetit tonë modern, pikë kthese drejt standardizimit dhe konsolidimit të gjuhës shqipe, si instrument i emancipimit shoqëror dhe i shtetformimit.
“Gjuha asht shpirti i kombit”, shkruante Gjergj Fishta, duke na kujtuar se çdo akt i mbrojtjes, zhvillimit dhe standardizimit të gjuhës është një akt mbrojtjeje të vetë qenies kombëtare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua në një kontekst të vështirë politik, shoqëror e kulturor. Përballë presioneve të perandorisë osmane, ambicieve hegjemoniste të fqinjëve dhe fragmentimit të brendshëm dialektor, delegatët u mblodhën me vizion të qartë, që ta njësonin shkronjimin e shqipes dhe t’i jepnin kombit një standard të përbashkët.
Ajo që ata arritën, përzgjedhja e alfabetit latin dhe hartimi i platformës së re arsimore, ishte një akt politik i lartë, një projekt qytetërues dhe një investim historik për të ardhmen e popullit shqiptar.
Vendimi për përdorimin e alfabetit latin nuk ishte thjesht zgjedhje teknike. Ishte shprehje e orientimit kulturor perëndimor dhe e aspiratës për modernitet. Me këtë vendim u hodhën themelet e një tradite të re shkencore dhe letrare, e cila i hapi rrugë zhvillimit të sistemeve shkollore, krijimit të shtypit kombëtar, konsolidimit të letërsisë dhe formimit të elitave intelektuale.
Alfabeti i përbashkët u bë ura e komunikimit gjithëkombëtar dhe platforma e lindjes së një vetëdijeje politike moderne. Ishte një tejkalim i konceptit bizmarkijan për shqiptarët.
“Gjuha shqipe është një pasuri që duhet ruajtur me xhelozi”, shkruante Faik Konica, një paralajmërim që e lidh qartë projektin e Manastirit me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale të sotme për ta mbrojtur dhe kultivuar gjuhën.
Në këtë përvjetor, vlen të theksohet se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por pasuri e gjallë, sistem simbolik, bartëse e kujtesës kolektive dhe themel ontologjik i ekzistencës sonë si komb.
Standardi i gjuhës shqipe, i ndërtuar mbi rrënjët e vendimeve të Manastirit, është sot përgjegjësi e secilit prej nesh, në arsim, në media, në institucionet publike, në shkencë dhe kulturë.
Cilësia e gjuhës që flasim e shkruajmë pasqyron cilësinë e mendimit, të institucioneve dhe të vetë shoqërisë.
Eqrem Çabej na e ka kujtuar qartë këtë dimension duke theksuar se, “Gjuha është historia e popullit”.
Kjo thënie e tij e ngre në nivel akademik detyrimin tonë për të ruajtur standardin gjuhësor si një formë kujdesi ndaj historisë dhe identitetit.
Në kohën e globalizimit, digjitalizimit dhe transformimeve të shpejta të komunikimit publik, mbrojtja e pastërtisë gjuhësore dhe kultivimi e normave akademike dhe profesionale në shqip bëhen detyra të patjetërsueshme.
Krahas respektit, për variantet e shumta dialektore të shqipes dhe për krijimtarinë gjuhësore, duhet të ruajmë një kujdes të posaçëm për normat e shqipes standarde, e cila është shtylla që mban bashkë hapësirën tonë kulturore dhe shtetërore.
Sot, kur e përkujtojmë Ditën e Alfabetit, kujtojmë vizionin e elitave të Manastirit, të cilët e panë qartë se një komb që nuk ka alfabet të përbashkët, nuk mund të ketë as shkollim të integruar, as administratë funksionale, as kulturë të unifikuar dhe as vetëdije politike të qëndrueshme.
Përmes alfabetit, ata krijuan themelet e një shteti ende të paformuar, të cilit i dhanë gjuhën si kusht i parë i lirisë.
“Shqipëria nuk mund të bëhet pa gjuhën shqipe”, shkruante Mid’hat Frashëri, duke i dhënë një dimension programatik detyrimit tonë për të ruajtur dhe zhvilluar standardin e gjuhës sonë.
Le të mbetet ky përvjetor jo vetëm festim, por edhe reflektim mbi përgjegjësinë tonë intelektuale për ta ruajtur, përmirësuar dhe zhvilluar gjuhën shqipe me dinjitet, përpikëri dhe standard shkencor.
Sepse alfabeti i Manastirit nuk është thjesht një instrument shkrimi, por, është dokumenti themeltar i identitetit tonë kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Unë vuaj nga pakënaqësia. Ata që më njohin nga afër…