KRIME ME UNIFORMA TË UÇK-së (5)

23 tetor 2023 | 16:10

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (V)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së pestë, ka theksuar se botërisht dihet se një numër i konsiderueshëm i aksioneve kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë është bërë nga kriminelë me uniforma të UÇK-së që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë ose pjesëtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ai ka theksuar se aksionet e tyre kriminale ishin të drejtuara kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim që këto krime të shëmtuara t’i visheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bardhyl Mahmuti ka pohuar se në të gjitha rastet e vrasjeve, që sadopak janë ndriçuar, del qartë se prapa vrasjes së civilëve në Kosovë qëndron urdhri i strukturave shtetërore serbe.

“Epoka e re”: Kur bëhet fjalë për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë, ju gjithmonë keni mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e UÇK-së në këto krime. Më intereson të di nëse një qëndrim i tillë përjashton mundësinë që të ketë pasur edhe shqiptarë që kanë kryer akte kriminale kundër civilëve?

Bardhyl Mahmuti: Qëndrimi ynë nuk ka të bëj me përkatësinë etnike të kriminelëve, por me urdhërdhënësit. Tani botërisht dihet se një numër i konsiderueshëm i aksioneve kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë është bërë nga kriminelë me uniforma të UÇK-së që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë ose pjesëtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Fillimisht po marr si shembull kolonelin e policisë serbe, Slavko Nikić (Sllavko Nikiq). Me qëllim që lexuesi shqiptar të krijojë idenë se për çfarë personi bëhet fjalë, po përmend disa të dhëna që i ka bërë publike ky kriminel. Në veprën e tij “Grupi i gjakut O” (Nulta Krvna Grupa”, f. 8), Slavko Nikić pohon se “sa i përket qëndrimit ndaj jetës, nga personalitetet më të shquara të skenës politike, policore dhe ushtarake serbe, më së shumti çmon gjeneralin Ratko Mladić (Ratko Mlladiq).”. Besoj se lexuesit e dinë që Ratko Mladić është njëri ndër kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit, i dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për veprat penale gjenocid, krim kundër njerëzimit dhe krime lufte në Bosnjë. Qëndrimi i Ratko Mladić-it për jetën u dëshmua veçanërisht në Srebrenicë, ku më 13 korrik 1995, forcat serbe të komanduara nga ai, masakruan përafërsisht 8000 pjesëtarë të përkatësisë etnike myslimane. Më 16 gusht 2008, në emisionin televiziv “Ćirilica”, në TV Pink, Slavko Nikić pohoi me mburrje se “për kontributin që kishte dhënë për serbët e matanë lumit Drina, gjenerali Ratko Mladić i kishte dhënë mirënjohje të veçantë dhe, me udhëzimet e tij, si kolonel lufte, ishte dërguar në luftën e Kosovës në krye të Njësitit për Detyra të Veçanta!”. Ai nuk tregon në cilat aksione ka marrë pjesë gjatë luftës në Kosovë, por, siç shihet nga përzgjedhja që ka bërë të vendosë në ballinën e librit “Rrëfim-Ndoshta” fotografinë e vet me uniformë të UÇK-së, mund të supozojmë se të çfarë natyre ishin krimet e Njësitit për Detyra të Veçanta.

No description available.

Nuk mund ta di konkretisht në cilat krime ka marrë pjesë koloneli i policisë serbe, Slavko Nikić. Këtë çështje mund ta sqarojë vetëm një proces hetimor që do të kishte për qëllim ndriçimin e rasteve të krimeve të pandriçuara deri tani. Mirëpo një gjë është e sigurt: të veshur me këtë uniformë as ai dhe as kriminelët e tjerë të Njësitit për Detyra të Veçanta nuk kanë marrë pjesë në luftime kundër ushtarëve të UÇK-së. Aksionet e tyre kriminale ishin të drejtuara kundër civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim që këto krime të shëmtuara t’i visheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

No description available.

Si shembull të dytë po përmend Nazim Bllacën, pjesëtar i Shërbimit Sekret Serb, i cili me detyrë nga ky shërbim futet në Kosovë dhe kryer një varg krimesh.

No description available.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Nazim Bllaca shkoi në Serbi dhe jetoi për një kohë relativisht të gjatë atje. Për saktësinë e datës kur ka shkuar, të kohës sa ka banuar atje dhe të vendit ku ka qëndruar në Serbi e di më së miri Nazim Bllaca, familjarët e tij dhe Shërbimi Sekret Serb. Kam bindjen e plotë se shumica e lexuesve janë dëshmitarë të përpjekjeve të këtij bashkëpunëtori të okupatorëve serbë, sidomos nga muaji nëntor i vitit 2009, për t’u prezantuar para opinionit publik si pjesëtarë i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe për t’ia veshur UÇK-së krimet që kishte kryer me porosi të Shërbimit Sekret Serb.
Në prill të vitit 2015, në emisionin Zona e Debatit, në Klan Kosova, deklarova se “Nazim Bllaca ishte person i infiltruar nga Serbia për të kryer krime me qëllim të fajësimit dhe njollosjes së UÇK-së dhe se kishte qëndruar në Serbi përpara se të rrëfente, në nëntor të vitit 2009, për krimet që i kishte kryer në Kosovë”. Katër vite më vonë, më 8 shkurt 2019, emisioni hulumtues i Radio Televizionit të Kosovës, i titulluar “Udhëve”, nxori dëshmi të pakontestueshme të angazhimit të Nazim Bllacës në strukturat e Shërbimit Sekret të Serbisë, zyrtarisht që nga data 15 maj 1997.

No description available.

Në funksion të realizimit të qëllimeve të Shtabit Strategjik të Sllobodan Millosheviqit, në vrasjet e civilëve në Kosovë kanë qenë të përfshirë edhe Selim Broshaj, Ibush Kllokoqi, Lutfi Ajazi, Ajet Istogu, Jakup Hoti, Nazim Bllaca e shumë kriminel të tjerë të përkatësisë etnike shqiptare që ishin funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret të Serbisë apo informatorë dhe vegla të këtij shërbimi, që kryenin operacione të veçanta. Nuk kam asnjë dyshim se të gjitha krimet ndaj civilëve në Kosovë, janë kryer me urdhër të strukturave shtetërore serbe, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të ekzekutorëve të këtyre krimeve.

“Epoka e re”: Në bazë të pohimeve të ish-shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, përmasat e krimeve ku ishte i përfshirë ky shërbim ishin jashtëzakonisht të mëdha.
Bardhyl Mahmuti: Ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Radomir Marković dhe shefi i eskadronëve të vdekjes, Milorad Ulemek-Legija, u dënuan nga Gjykata e Qarkut në Beograd me nga 40 vjet burg për dhënie urdhri, porosi të vrasjeve të shumta në Serbi dhe kryerje të vrasjeve. Dënimi prej 40 vjetësh është dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i Serbisë. “Në kërkesën për falje të dënimit që i adresoi kryetarit të asokohshëm të Serbisë, Tomislav Nikolić-it, Radomir Marković kërcënoi se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse e publikon listën e krimeve të bëra me urdhër të Millosheviqit kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.”. Kërcënimi i tij është tepër domethënës! Për ta gjunjëzuar një shtet, përmasat e përfshirjes shtetit në krime të kësaj natyre duhet të jenë jashtëzakonisht të mëdha.
Të mos harrojmë se një gjë të tillë e pohoi njeriu që ka qenë në krye të strukturës shtetërore që përpilonte planet e realizimit konkret të krimeve kundër civilëve në Kosovë. Se çfarë ndikimi ka pasur ky person në kryerjen e krimeve flasin faktet: nga data 23 shkurt 2001, kur u arrestua Radomir Marković, e deri më 16 janar 2018, kur u vra Oliver Ivanović, mbi 95 % e rasteve të vrasjeve të pandriçuara janë kryer në pjesën veriore të Kosovës, ku, pa u penguar fare, kanë operuar forcat kriminale të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.
Në mesin e personave për të cilët njoftoi Shërbimi Sekret i Serbisë se ishin vrarë në pjesët tjera të Kosovës, dy persona janë pa emër dhe pa mbiemër (numër rendor 705 dhe 706, në “Librin e bardhë”, botimi 2001), dhe një Qerim Ismajli, i vrarë në Godanc të Epërm, në komunën e Shtimes.
E shoh të rëndësishme të sqaroj për lexuesin se Qerim Ismajli ishte i afërt i pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Radomir Markoviqi e kishte emëruar Sekretar të Përgjithshëm të partisë politike me emrin “Iniciativës Demokratike të Kosovës”, që regjimi u përpoq të krijonte në Kosovë. Kryetari i kësaj “partie shqiptare”, Faik Jashari, dhe kryetari i një partie tjetër “shqiptare” (Partia Demokratike Reformiste e Shqiptarëve), Sokol Qysja, gjithashtu e krijuar nga regjimi i Millosheviqit, ishin pjesëtarë të “delegacionit serbo-jugosllav”, në Konferencën e Rambujesë.

No description available.

Në numrin rendor 32 të “listës së të vrarëve pas 10 qershorit 1999” të botimit të vitit 2001 të “Librit të bardhë” të titulluar “Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin- Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001”, Shërbimi Sekret i Serbisë sqaron se “Qerim Ismajli është vrarë më 31 gusht 2001, nga Fahredin Gashi”. Pas deklaratave publike të Nazim Bllacës për përfshirjen e tij në një numër vrasjesh pas luftës në Kosovë, ky informator i Shërbimit Sekret të Serbisë përmend edhe Fahredin Gashin si pjesëtar në kryerjen e këtyre vrasjeve.
Siç shihet, në të gjitha rastet e vrasjeve, që sadopak janë ndriçuar, del qartë se prapa vrasjes së civilëve në Kosovë qëndron urdhri i strukturave shtetërore serbe, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të ekzekutorëve dhe pa marrë parasysh nëse të gjithë pjesëmarrësit në vrasje ishin në dijeni se kush qëndronte prapa vendimeve të tilla.

“Epoka e re”: Ish-shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë e thotë qartë se urdhrat vinin nga Sllobodan Millosheviqi. Mirëpo pas përmbysjes së Millosheviqit nga pushteti, shtetet e demokracive perëndimore mbështetën shpresat te qeveria e “re” e Serbisë për të ndriçuar fatin e mijëra të zhdukurve. Është e tmerrshme kur sheh se pushtetarët e ri në Beograd jo vetëm që vazhduan logjikën e vjetër të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, por në disa aspekte ia kaluan shumëfish.
Bardhyl Mahmuti: Regjimi i Sllobodan Millosheviqit zbatoi disa forma të zhdukjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit në Kosovë, qoftë nëpërmjet djegies së kufomave në furrat e minierave në Feronikel, në Trepçë, në Bor dhe në Surdulicë, qoftë nëpërmjet zhvarrosjes së kufomave të shqiptarëve të vrarë dhe varrosjes në varreza masive anekënd Serbisë. Sa i përket listave të sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, deri në botimin e vitit 2001 flitej për qindra “të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga UÇK-ja”. Në dallim nga koha e Millosheviqit, në “librat e bardhë” që shpërndau qeveria e “re” e Serbisë në vitin 2001 dhe 2003, përveç pjesëtarëve të forcave të armatosura serbe që u zhvendosën në listën e civilëve, një pjesë e emrave të atyre që ishin varrosur në varrezat masive në Serbi, apo që dihej zyrtarisht se ishin vrarë nga forcat e armatosura serbe, u zhvendosën në listën e civilëve “të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga UÇK-ja”. Kështu nëpërmjet manipulimeve “demokratike” të listave të viktimave, numri i viktimave që i visheshin UÇK-së arriti në 3276!

No description available.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Astana mund të zbarkojë në Kosovë pa futbollistët e saj…