Krimet e luftës, 23 aktakuza të ngritura për tre vjet

07 shkurt 2024 | 12:10

23 aktakuza për krime lufte janë ngritur nga viti 2020 deri në vitin 2023.

Kështu është bërë me dije në diskutimin “Ngritja e kapaciteteve në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se rekomandim i vazhdueshëm mbetet ngritja e kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës.

Ndërsa prokurori special, Ilir Morina, ka deklaruar se ngritja e kapaciteteve të institucioneve paraqet sfidë të vazhdueshme. Ai është shprehur se aktualisht po punojnë me tre prokurorë, pas pensionimit të prokurores speciale, Drita Hajdari.

“Ne po mundohemi që t’i rrisim kapacitetet. Nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka qenë një periudhë tranzitore për pranimin e lëndëve. Në vitin 2020 ka qenë pandemi. Ne vitin 2020 është miratuar strategjia për hetimin e krimeve të luftës, ku janë caktuar katër prokurorë për hetimin e krimeve të luftës. Kemi filluar të pranojmë lëndë të reja. Sfida e parë ka qenë që përveç transferimit të lëndëve, nuk ka pasur transferim të praktikave, ka munguar përvoja dhe tani me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë, kemi arritur që të krijojmë një kapacitet të konsiderueshëm”, ka thënë Morina.

Më tutje, ai ka treguar edhe numrin e aktakuzave që janë ngritur nga periudha që kanë marrë kompetencat për hetimin e krimeve te luftës.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave”, ka thënë ai.

Edhe gjyqtari Valon Kurtaj nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se sfidë është ngritja e kapaciteteve. Ai ka përmendur gjykimin në mungesë për të cilin tha se është hap i rëndësishëm pozitiv.

 

Në anën tjetër, Bashkim Spahiu nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës theksoi se janë 32 zyrtarë që merren me raste hetimore. Teksa ka folur për sfidat, ai ka thënë se ka kaluar kohë e gjatë prej luftës së fundit në Kosovë dhe shumë gjurmë kanë humbur. /Kp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një titullar i padiskutueshëm, por edhe mishërimi i një rritjeje…