Kritikët e artit në perëndim e vlerësojnë pikturën e Sam Asllanit

21 mars 10:22

Në lokalet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë po qëndron e hapur ekspozita e piktorit Samedin – Sam Asllani, e cila po zgjon kërshërinë e vizitorëve shqiptarë dhe të artdashësve zviceranë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit prill, në të cilën janë të ekspozuara 20 piktura të cilat i kanë hijeshuar ambientet e selisë së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Sam Asllani është piktor i lindur më 1969 në Kosovë,  i cili nga viti 1993 jeton dhe punon në Lozanë të Zvicrës.

Jeta artistike e Samedin Asllanit fillon qysh në moshën e tij shumë të re.  Gjatë kohës kur ai vijonte mësimet në shkollën e tij të fshatit i mbushte fletoret e shkrimit me vizatime. Kështu talenti i tij do të vërehet shumë shpejt nga gazetat e përditshme të njohura të asaj kohe, të cilat edhe do t’i publikojnë rregullisht karikaturat dhe ilustrimet e tij.

Pasi regjistrohet në akademinë e arteve, ai braktis karikaturën për t’iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Vepra e Asllanit pasqyron një zhvillim të vazhdueshëm në të menduarit artistik dhe në të shprehurit e emocioneve.

Periudha e tij e parë e mësimit dhe formimit, me vegime ngjyruese, inspirohet shumë nga surealizmi. Është karakteristikë për pikturën e tij përdorimi metodik i vijës harmonike me ngjyrë të zezë.

Me ndihmën e penës, ai përvijon dhe luan me vijat e zeza, për të vënë në dukje format dhe për t’i nxjerrë në pah veçoritë e tyre.

Pastaj vjen një periudhë e zhvillimit të identitetit artistik nëpërmjet studimit të ngjyrave në raportin e tyre me format.

Sinteza e këtyre përvojave shpie në një fazë të pjekurisë, ku përdorimi i vijës së zezë dhe ngjyrave fisnikëron një vepër të shquar për nga stili unik.

Këtë zhvillim e karakterizojnë piktura të mëdha akrilike me ngjyra të shkëlqyeshme dhe të pasuruara me shumë arabeska të zeza.

Peizazhet ndonjëherë të trazuara, personazhet dhe objektet të pikturuar në mënyrë realiste ose alegorike, nxisin te shikuesit emocione të forta nëpërmjet larmisë së subjekteve të paraqitura.

I udhëhequr nga ndjenjat e tij, periudhat e ndryshme të jetës së tij janë paraqitur mbi pëlhurë. Rrethanat e krijimit në rininë e tij ndikojnë në paraqitjen e hijeve të errëta dhe të ftohta në pikturë. Ato kthjellohen gjatë viteve në vijim, për të na dhënë piktura më të lehta dhe më të ndritshme, gjithnjë duke ruajtur në filigran stilin tij tanimë krejtësisht të njohur. Kjo veçanti është emëruar nga kritika e artit perëndimor “Stili Asllani”.

Vepra e tij ka qenë e ekspozuar nëpër shumë galeri të Zvicrës, por edhe jashtë saj. Kohët e fundit pikturat e Sam Asllanit janë vlerësuar shumë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë filluar të shpërndahen në formë të fotografive, madje edhe përmes rrjetit të fuqishëm të shpërndarjes “Amazon”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se…