Kritikohet qasja e BE-së për vonesat në liberalizimin e vizave

24 tetor 2018 | 15:29

Është kritikuar qasja e Bashkimit Evropian (BE) ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi kjo organizatë është duke ua mohuar atyre të drejtën e lëvizjes së lirë përmes liberalizimit të vizave, për shkak se politika apo gjyqësori kosovar nuk i kanë kryer detyrat.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që BE-ja të marrë veprime karshi tyre, e jo karshi qytetarëve.

“Është një presion i madh i tyre. Natyrisht se nëse dilni sot në sheshet e Prishtinës ose të secilit qytet të Republikës së Kosovës, kërkesë kryesore nga secili qytetar është liberalizimi i vizave”, ka thënë Deliu-Kodra për “Radio Kosovën”.

“E kemi adresuar me të gjithë përfaqësuesit e shteteve të BE-së kur kanë ardhur, që nëse ka konsekuenca politike të merren veprime politike karshi personave, karshi nesh. Por, mos të ketë dënime për qytetarët e Republikës së Kosovës. T’ua bëjmë atyre të mundshme lëvizjen e lirë dhe veprimi ynë politik të mos ketë konsekuenca tek ata”, ka thënë ajo

Edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se populli nuk duhet t’i bartë pasojat e gabimeve të politikës apo edhe të institucioneve të tjera, dhe se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i shkelë të drejtat njerëzore të qytetarëve të vendit.

“Shpresojmë shumë që këto shtete do ta kenë parasysh që dëmi më i madh është për rininë e Kosovës, është për qytetarët e Kosovës të cilët po mbesin të izoluar, dhe tek e fundit kjo është edhe çështje e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, sepse liria e lëvizjes është e drejtë themelore e mbrojtur jo vetëm në Kushtetutën e Kosovës por edhe në Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut”, ka thënë Osmani.

Kurse Zyra e BE-së në Kosovë ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të “Radio Kosovës” në lidhje me mohimin e të drejtës së lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kur detyrat e kërkuara nga BE-ja i adresohen politikës kosovare dhe gjyqësorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton,…