Kriza në Telekom shtyri implementimin e kodit +383

01 qershor 12:17

Kryetari i Bordit të Agjencisë për Komunikime Postare dhe Elektronike (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka konfirmuar se problemet financiare të Telekomit të Kosovës kanë qenë baza kryesore për shtyrje të afatit të datës 1 qershor të implementimit të kodit të ri shtetëror telefonik +383.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se ARKEP-i në aspektin rregullativ ka bërë të gjitha përgatitjet për implementimin me kohë të kodit shtetëror telefonik të ndarë nga ITU +383.

“ARKEP-i në vazhdimësi ka marrë raporte për progresin e implementimit të kodit, por në muajt e fundit janë vërejtur disa ngecje dhe përfundimisht operatori Telekomi i Kosovës, por edhe operatori IPKO, për arsye të ndryshme nga Telekomi, kanë kërkuar një afat shtesë për largimin e kodeve aktuale, të cilat kërkesa pas analizimit i ka pranuar si të arsyeshme Bordi i ARKEP-it dhe si rezultat ka dhënë një datë të re për largim të kodeve aktuale”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se ARKEP-i aktualisht është në proces të punës për domenin shtetëror të internetit. Gashi ka theksuar se aktualisht në Republikën e Kosovës nuk ka operatorë ilegalë në telefoninë mobile dhe fikse.

Ai ka bërë me dije se ARKEP-i përballet me disa sfida specifike, që janë kryesisht si rezultat i mungesës së një pavarësie financiare dhe numrit të vogël të stafit.

“Epoka e re”: Z. Gashi, cilat janë arsyet e shtyrjes së implementimit të kodit telefonik +383?
Gashi: Me gjithë faktin se ARKEP-i në aspektin rregullativ ka bërë të gjitha përgatitjet për implementimin me kohë të kodit shtetëror telefonik të ndarë nga ITU +383, zbatimi teknik, përkatësisht migrimi nga kodet aktuale në kodin e ri +383, është një proces që u takon vetë operatorëve të telekomit ta kryejnë. Mund të themi se deri më tani ka pasur mjaft progres në drejtim të implementimit të kodit +383 nga operatorët por, megjithatë, hapi final i largimit të kodeve aktuale plotësisht nuk është arritur të bëhet me kohë ashtu siç e kemi paraparë, kryesisht për shkak të problemeve financiare dhe teknike respektivisht, të operatorëve, me theks të veçantë në Telekomin e Kosovës. ARKEP-i në vazhdimësi ka marrë raporte për progresin e implementimit të kodit, por në muajt e fundit janë vërejtur disa ngecje dhe përfundimisht operatori Telekomi i Kosovës, por edhe operatori IPKO për arsye të ndryshme nga Telekomi, kanë kërkuar një afat shtesë për largimin e kodeve aktuale, të cilat kërkesa pas analizimit i ka pranuar si të arsyeshme Bordi i ARKEP-it dhe si rezultat ka dhënë një datë të re për largim të kodeve aktuale.

“Epoka e re”: Po gjendja financiare me të cilën përballet Telekomi i Kosovës, si mund të reflektojë në këtë aspekt?
Gashi: Me gjithë faktin se ARKEP-i është rregullator i tregut dhe në bazë të ligjit nuk mund të bëjë asnjë diskriminim apo trajtim ndryshe të operatorëve në treg si dhe nuk mund të ndërhyjë në menaxhimin e brendshëm të operatorëve, mund të them se gjendja aktuale financiare e Telekomit të Kosovës është shumë shqetësuese, si dhe si Autoritet ne kemi pasur mirëkuptim maksimal për të gjitha kërkesat e Telekomit të Kosovës gjatë gjithë mandatit të bordit aktual e, po ashtu, mund të shtojë se problemet financiare të Telekomit të Kosovës kanë qenë edhe baza kryesore për shtyrje të afatit të datës 1 qershor. Megjithatë, shpresojmë se Telekomi i Kosovës të dalë shpejt nga kjo krizë dhe t’i kryejë investimet e nevojshme. Ta kemi parasysh se investimi në largimin e kodeve të huaja në çdo rast në një të ardhme të afërt do të kthehet mbrapa shumëfish më shumë te kompania, nëpërmjet përfitimit që ajo do të ketë si rezultat i shfrytëzimit të kodit të Kosovës.

 “Epoka e re”: Me kodet telefonike +377 dhe +386, si do të veprohet tani?
Gashi: Kodet aktuale, përkatësisht numeracioni i përdorur me këto prefikse, do t’u kthehen në shfrytëzim vendeve nga ku janë marrë për shfrytëzim, përkatësisht Monakos dhe Sllovenisë. Por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndryshime në numeracionin e brendshëm që përdoret në Kosovë, struktura e numrave për telefoni mobile dhe fikse do të mbetet e njëjtë, vetëm prefiksi ndërkombëtar, përkatësisht kodi shtetëror do të ndërrojë.

“Epoka e re”: Çfarë humbjesh mund t’i shkaktojë Kosovës mosimplementimi nga 1 qershori, siç ishte paralajmëruar?
Gashi: Humbja e vetme është shfrytëzimi edhe për këtë periudhë i kodeve të huaja dhe pagesat nga kompanitë tona për përdorim të kodeve të huaja. Pas kalimit në shfrytëzim të kodit të Kosovës +383, operatorët tanë nuk do të kenë nevojë të paguajnë për përdorimin e kodeve të huaja në thirrjet ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Si qëndron puna me operatorët ilegalë në Kosovë dhe sa është arritur të parandalohet veprimtaria e tyre?
Gashi: Aktualisht në Republikën e Kosovës nuk ka operatorë ilegalë në telefoninë mobile dhe fikse. Për të ardhur deri në këtë situatë është dashur shumë kohë dhe kalimi nëpër procese shumë komplekse. Stafi i ARKEP-it, i mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, me shumë dedikim ka arritur t’i kryejë matje dhe të largojë përfundimisht në mars të vitit të kaluar edhe nga veriu i Kosovës operimet ilegale që kanë ekzistuar atje dhe në pjesë të tjera të Kosovës që nga pas lufta.

“Epoka e re”: Sa janë të hyrat e ARKEP-it nga janari deri më tani, dhe si është raporti me vitin e kaluar?
Gashi: Të hyrat për vitin 2018 për ARKEP-in nga taksat e ndryshme janë paraparë të jenë rreth 3.75 milionë euro, ndërsa deri më tani janë realizuar rreth 1.8 milion, përkatësisht 48 % e të hyrave të planifikuar për vitin 2018.

“Epoka e re”: Me cilat sfida po përballeni?
Gashi: ARKEP-i përballet me disa sfida specifike, që janë kryesisht si rezultat i mungesës së një pavarësie financiare, numrit të vogël të stafit. Po ashtu, si shumë institucione publike të Kosovës që rregullojnë sektorë që kanë nevojë për shumë shkëmbime në nivel global, pamundësia për të marrë pjesë në disa forume që kanë për bazë anëtarësimin e shteteve në Kombet e Bashkuara është duke shkaktuar probleme në një funksionim më të mirë. Ne si institucion kemi raporte shumë të mira bashkëpunimi bilateral më shumë homologë tanë nga vende të ndryshme partnere, por ende nuk jemi anëtarë në trupa multilateralë me rëndësi për telekomin si ITU, BEREC, IRG etj. Aktualisht jemi në proces të punës për domenin shtetëror të internetit, të cilin, fatkeqësisht, Kosova ende nuk e ka, dhe edhe te ky rast na janë shfaqur shumë sfida si rezultat i rrethanave që u thanë më sipër.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti i Spanjës ka rrëzuar Mariano Rajoy nga posti i…